Real Madrid do të luajë ndeshjen çerekfinale të Kupës së Mbretit kundër rivalëve të qytetit Atletico nesër me fillim nga ora 21:00.
Mediat spanjolle kanë shkruar se kapiteni kroat, Luka Modric duket i lodhur që nga kthimi nga Botërori i Katarit dhe Ancelotti nuk i ka dhënë shumë minuta kohët e fundit. Kështu, në tri ndeshjet e fundit të ligës ai luajti, me Valladolidin (dy minuta), Villarrealin (70 minuta) dhe Bilbaon (17 minuta). Ai nuk luajti një ndeshje të plotë as në Superkupë kundër Valencias dhe Barcelonës, përcjell GazetaBlic Sport.
Ancelotti shpjegoi në konferencën për shtyp se Reali është në procesin e ndryshimit të brezave dhe vuri në dukje se suksesi i ekipit do të varet nga mënyra sesi lojtarët me përvojë dhe të rinj do të mendojnë për ekipin, jo për veten e tyre.
I pyetur për Luka Modricin dhe Toni Kroos, dyshen e pazëvendësueshme të mesfushës së Realit deri vonë, apo për faktin se ata mund të zëvendësohen, ai është përgjigjur:
“Ata po kontribuojnë në këtë sezon. Ata do të vazhdojnë të jenë aty për ekipin. Ata do ta kuptojnë nëse zëvendësohen, ata janë profesionistë dhe e kuptojnë cilësinë që ka ky ekip. Nuk kam pse të shpjegoj vendimet e mia. Skuadra është në periudhë tranzicioni dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Kërkoj mirëkuptim nga veteranët dhe durim nga lojtarët e rinj. Kjo teori na çon drejt suksesit”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


