“Nuk ka kushte që zgjedhjet të mbahen në veri për momentin”, ky është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjedhjet e 18 dhjetorit, që janë caktuar të mbahen në katër komunat në Veri të Kosovës, qëndrim ky të cilin e ka thënë ambasadori i SHBA në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Ky qëndrim i SHBA vjen një ditë pasi që në Zubin Potok pati shpërthime e detonime nga bandat kriminale serbe, të cilët thyen zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri duke penguar kështu zyrtarët e KQZ që të vendosen në zyrat e tyre.
Deri në këto momente pas deklaratës së ambasadorit amerikan, nuk kanë dal me qëndrim nga Presidenca e Kosovës.
Reagim nuk ka tash për tash, as nga Qeveria e Kosovës.
Por një anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi po vlerëson se ideja për shtyrjen e zgjedhjeve të 18 dhjetori nuk do të ishte ide e mirë.
Sipas Gashit, pas rrethanave të krijuar në atë pjesë të Kosovës i takon presidencës që të vendos nëse ato duhet të mbahen me 18 dhe 25 dhjetor apo të shtyhen për shkak të rrethanave të krijuar.
“I takon presidencës së bëjë vlerësim. Si KQZ kemi bërë të gjitha përgatitjet. Qeveria dhe vartësitë e saj duhet të krijojnë siguri që procesi të shkoj si duhet. Nuk mendoj që shtyrja do të ishte ide e mirë, por në qoftë se institucionet e Kosovës nuk mund të ofrojnë siguri, atëherë mbetet në duar të presidencës se sit ë veproj”, ka thënë Gashi për Gazeta Blic.
Përmes një reagimi në Twitter ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Ai tha se SHBA është e shqetësuar se nuk ka kushte për momentin për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë ata që janë të përfshirë të tregojnë vetëpërmbajtje”.
Hovenier gjithashtu ka shkruar se dhuna nuk është asnjëherë mjet për të protestuar, derisa ka dënuar incidentet e djeshme në veri.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese, si dhe rrezikimin e jetëve, nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Mbrëmë kryeministri Albin Kurti tha se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.
“Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”, kishte thënë Kurti ndër të tjera.
Hovenier: Nuk ka kushte që zgjedhjet të mbahen në veri për momentin


