Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak ditë më parë tha se ka qenë i gatshëm që vet ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit, por sipas tij, një gjë e tillë nuk është pranuar nga palët në takimin e Ohrit.
Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha në një prononcim për GazetaBlic potencoi se kjo deklaratë e kryeministrit Kurti erdhi për të mashtruar opinionin publik.
Berisha thotë se, edhe në momentin kur kryeministri ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruaj marrëveshjen në Ohër, një gjë e tillë nuk ka qëndruar, sepse sipas tij nuk kishte marrëveshje për nënshkrim. Këto deklarata sipas Berishës po vijnë për një arsye.
“Kjo deklaratë është në vazhdën e retorikave të tij, për mashtrim të opinionit. Ashtu siç bëri deklaratë se ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje, ku në fakt nuk kishte fare marrëveshje për nënshkrim. Ai ishte një dokument që ishte bërë për konsum politik dhe ditor, në mënyrë që të shtyen analfabetetët funksional për të thënë që kryeministri ynë ndiqte nga pas Vuçiqin për të nënshkruar, por ai nuk pranonte”, tha Berisha.
Ndërsa deputeti i VV-së, Fitim Haziri thotë se në takimin e 2 majit nuk do të ketë presion për formimin e Asociacionit, por sipas tij do të bisedohet rreth marrëveshjes së dakorduar në Ohër.
“Në takimin e 2 majit, palët do t’i diskutojnë zbatimin e marrëveshjes që janë pajtuar në Ohër. Ka pas shkelje dhe jo interesim nga pala e Serbisë, edhe pse për marrëveshje ata janë pajtuar kanë votuar kundër procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE. Në atë takim nuk bëhet fjalë për presion, që të formohet Asociacioni”, tha ai”, tha Haziri.
Haziri për GazetaBlic ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit për draft-statutin.
“Gatitshmëria e kryeministrit Kurti për ta paraqitur një propozim rreth draft-statutit e cila nuk është pranuar nga palët, është sepse ata e kanë ditur qëllimin e qartë të kryeministrit rreth parimeve që duhet me i pas statuti, ku në bazë të këtyre parimeve, Serbia nuk ka qenë e gatshme që kryeministri i Kosovës ta propozojë një draft-statut për formimin e Asociacionit”, tha Haziri për GazetaBlic.
Kjo ishte deklarata e kryeministrit Kurti:
“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade. Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak”, tha Kurti.
“Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane”, shtoi Kurti.


