Lajme

Nuk kaloi testin djali i njërit anëtar të KPK-së, anulohet konkursi për prokuror

12/16/2025 20:04
nga:G B

Aplikimin për prokurorë të shtetit, kandidatët e bënë që në maj të këtij viti.

Disa nga ta kaluan në disa faza, e kur erdhën në të fundit, procesi u anulua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Për arsyet e një vendimi të tillë nuk treguan në KPK, e as vetë kandidatët nuk i kuptuan.

Këshilli Prokurorial nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit, por burime brenda këtij institucioni kanë thënë se ndër arsyet kanë qenë që djali i ish-kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku, tani anëtarit të Këshillit nuk ka kaluar të gjitha fazat.

Dukagjini ka provuar të marr një qëndrim nga Maloku, por i njëjti ka qenë i paqasshëm gjatë ditës.

Pos, kësaj në anulim, televizioni mëson se kanë ndikuar edhe disa gjetje të komisionit të shkallës së dytë dhe ndërprerja e intervistave për një kohë të gjatë.

Në këtë konkurs kandidate ishte edhe vajza e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Agron Qalaj, e cila ka kaluar fazën e testimit me shkrim.

Një nga kandidatët që ishte në këtë proces, në mënyrë anonime ka thënë për televizionin, se nuk kanë marr asnjë arsyetim për anulimin e konkursit.

“Ne, kandidatët për prokuror, nuk jemi njoftuar në asnjë mënyrë se konkursi do të anulohej, e aq më pak në rrethanat kur një pjesë e kandidatëve është privuar nga e drejta për t’u intervistuar. Këtë situatë e konsiderojmë thellësisht të padrejtë dhe të pajustifikueshme, duke pasur parasysh se procedura e rekrutimit përbëhet nga tri faza dhe ne ndodheshim në fazën e fundit, njëkohësisht faza më e avancuar e kësaj procedure të stërzgjatur. Duhet theksuar se aplikimi ynë daton që nga muaji maj i këtij viti, ndërsa gjatë gjithë këtij procesi nuk kemi pranuar asnjë arsyetim zyrtar për anulimin e konkursit, as publikisht e as përmes emailit. Për më tepër, në fazën e parë të konkursit kanë ekzistuar një numër i madh ankesash, të cilat janë refuzuar, ndonëse testi kualifikues ka pasur gabime të shumta në formulim. Pavarësisht këtyre parregullsive, konkursi nuk është anuluar atëherë; përkundrazi, listës së kandidatëve i janë shtuar edhe 23 persona të tjerë. Ndërkaq, tani që procesi ka arritur në fazën përfundimtare, dhe pasi kanë dalë në pah probleme të brendshme mes institucioneve përkatëse – siç është raportuar edhe publikisht – konkursi është anuluar pa asnjë shpjegim dhe në dëm të drejtpërdrejtë të kandidatëve që kanë përmbushur të gjitha fazat paraprake. Një veprim i tillë cenon parimet e barazisë, transparencës dhe sigurisë juridike, si dhe dëmton besimin e kandidatëve në procesin e rekrutimit.”

E në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se anulimi i konkursit do të shkaktojë probleme të shumta në sistemin prokurorial.

“Gjatë monitorimit kemi mujt me kuptu që procesi ka shkuar deri në fazën e intervistimit për pjesën dërmuese të kandidatëve që kanë kaluar me sukses këtë fazë, sistemi prokurorial ka treguar se ka nevojë për prezencë të prokurorëve të rinj të shtetit dhe ky anulim i këtij procesi ka me ndiku negativisht edhe në punën dhe performancën e sistemit prokuroial për shkak të mungesës së madhe për prokuror”, ka thënë Flamur Kabashi nga IKD.

Një ditë më parë, një grup i kandidatëve për prokurorë të shtetit, përmes një reagimi kanë shprehur shqetësimin e tyre me anulimin e konkursit, duke kërkuar rishqyrtim të vendimit.

Të njëjtit kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Prokurorisë Speciale, me qëllim të vlerësimit të përgjegjësisë penale eventuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe institucioneve të tjera./Dukagjini/