Lajme

Nuk ka marrëveshje për targat në Bruksel, Lajçak: Ka përparim në energji

05/13/2022 18:54
nga:Astrit Gashi

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak,ka njoftuar se ka mbaruar takimet mes tij dhe dy kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Ai në Twitter ka shkruar se nuk është arritur një marrëveshje për targat, mirëpo sipas tij është bërë përparim në energjinë.

“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në dosjet e tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, shkruan ai.

Marrëveshja e përkohshme mes dy shteteve për targat, e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar, parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.

Kjo marrëveshje ka dalë pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti.

Ndërkohë që ditë më parë Kurti dhe Vuçiq janë takuar në një darkë joformale në Berlin.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë më parë se nuk do t’i ftojë liderët në takime të nivelit të lartë, derisa të mos ketë sinjale të qarta se në takim të tillë do të arrihet përparim konkret.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.