Rruga Prishtinë – Mitrovicë ishe tmerri i vozitësve gjatë tërë vitit që lamë pas, dhe jo vetëm.
Raportimeve të Kiksit për ketë aks rrugor iu gëzuan më së shumti ata që udhëtojnë çdo ditë përmes andejpari.
Ndonëse 2023-a nuk mund të konsiderohet sukses i Qeverisë Kurti apo ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu për të përmbyllur një dekadë pune për shtrimin e kësaj rruge, pushtetarët nuk hezituan që t’ia atribuojnë vetes si sukses gjendjen në të cilën gjendet ajo.
Ministri Aliu kishte thënë se më në fund rruga po bëhet.
Ky aks rrugor, i cili pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit 30 milionë, planifikohet të përfundojë 12 muaj nga fillimi i punimeve.
Ky projekt, i cili është huamarrje nga fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar në Bashkëfinancim me fondin Saudit për Zhvillim, është në mesin e pesë projekteve infrastrukturore, bashkë me Autostradën e Gjilanit, rrugët Prishtinë – Podujevë, Kievë – Zahaq, për të cilat qeveria aktuale ndau buxhet për vitin 2023.
Edhe këtë njoftim, ministri Aliu nuk e dha në media, por përmes rrjeteve sociale ku bëri të ditur se vlera totale e këtyre projekteve do të jetë 69 milionë euro.
Dy herë gjatë 2023-ës, Kiksi kishte raportuar edhe për problemin i cili po e bllokonte vazhdimin e punës.
Ishte shtëpia në mes të autostradës Prishtinë – Mitrovicë, pronari i të cilës nuk po arrinte marrëveshje me shtetin.
Gjashtë muaj pas raportimit të Kiksit, në nëntor të 2022-ës, Osman Jashari nga fshati Begaj i Vushtrrisë u largua nga shtëpia duke ua liruar hapësirën që shteti ta vazhdonte punën, mirëpo nuk e mori shumën që e deshi.
Ai kërkonte 100 mijë euro. Mori vetëm 60 mijë.
Qytetarët dhe pronarët e bizneseve skaj kësaj rruge refuzuan të flasin para kamerës, por prapa saj i thanë Kiksit se janë të lodhur dhe të torturuar nga punimet e stërzgjatura.
As para kamerës, e as prapa saj, për emisionin nuk pranuan të flisnin as ministri Aliu e as zëvendësi i tij, Durmishi, ani pse kërkesa për intervistë u dërgua disa herë.
Ministrisë iu deshën edhe disa muaj që të merrnin punën në duar. Ndëshkimi i parë për këtë zvarritje u dha në fillim të këtij viti.
Në shkurt të 2023-ës, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, njoftoi se kjo ministri ia ka shkëputur kontratën konsorciumit “JV PE-VLA-KU Sh.p.k. PATISHTA”, me arsyetimin se nuk i është përmbajtur kontratës së këtij projekti.
E një muaj më vonë, në mars të 2023-ës, ministri Liburn Aliu njoftoi për hapjen e konkursit për konsulentë për këtë projekt dhe më pas për kompanitë që do i mbikëqyrin punimet.
Le të jetë 2024-a vit i suksesit për përfundimin e aksit rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe dhënies fund torturës për të gjithë ata qytetarë që kalojnë çdo ditë përmes saj.


