Lajme

“Nuk është mirë që Mali i Zi ende s’ka ambasador të ri në Kosovë”

05/08/2021 20:45
nga:M K

“Mali i Zi dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike, por nuk është mirë që Mali i Zi për momentin nuk ka ambasador të ri në Kosovë“, ka vlerësuar ambasadori i deritanishëm i Malit të Zi në Kosovë Ferhat Dinosha.

Ai në një intervistë për programin në gjuhën malazeze në RTK2 ka theksuar po ashtu se nuk është mirë që në qeverinë aktuale të Malit të Zi nuk ka përfaqësues të pakicave nacionale, pra as të shqiptarëve.

Njëkohësisht, ai vë në dukje se ka tendenca që të ngushtohet hapësira e zhvillimit të identitetit malazez dhe bashkëpunimit me kulturat e popujve të tjerë. Mburret që ka marrë pjesë në procesin e ripërtrirjes së pavarësisë së Malit të Zi dhe kësaj ia ka kushtuar një libër që duhet të botohet së shpejti në Prishtinë. Tash për tash, nuk ka për qëllim të vazhdojë të merret me politikë. Këtë do ta bënte, nëse do të rrezikohej ajo që është krijuar në Referendumin e për pavarësinë e Malit të Zi të vitit 2006.

„Marrëdhëniet politike të Malit të Zi me Kosovën janë të shkëlqyera, në planin ekonomik do të mund të ishin më të mira, por këtë në kohë të fundit e ka ngadalësuar pandemia e koronavirusit dhe shpresoj se kjo situatë do të përmirësohet“, ka thënë ai. „Ajo që nuk është mirë, është fakti se Mali i Zi ende nuk ka ambasador të ri në Kosovë, ashtu si edhe në Shqipëri dhe disa vende tjera, sepse kjo mund të kuptohet si plan i dikujt për të relativizuar marrëdhëniet e mira miqësore ndërmjet Malit të Zi dhe këtyre vendeve“, ka shtuar Dinosha.

Duke përkujtuar se pakicat nacionale në Mal të Zi në qeveritë e mëparshme i kanë pasur përfaqësuesit e vetë dhe se që nga viti 1998 ka egzistuar Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Dinosha konsideron se gjendja aktuale në qeverinë malazeze nuk është e mirë për imazhin demokratik të Malit të Zi.

„Ministria për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Mal të Zi ishte e drejtë e arritur, ishte prodhim i aksionit afirmativ, që përdoret në shtetet demokratike të Evropës dhe ajo është dashur të vazhdonte të vepronte si e pavarur, e jo të shkrihet në Ministrinë e Drejtësisë, sic ka ndodhur në qeverinë aktuale“.

Dinosha shpreh bindjen se në të ardhmen askush në Qeverinë e Malit të Zi nuk do t’i kontestojë botimet e Fakultetit për Gjuhën dhe Letërsinë Malazeze, duke përfshirë edhe Leksikonin e Lingustëve Shqiptarë, të cilin e ka kontestuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe sportit, Vesna Bratiq. „Mendoj se leksikoni i linguistëve shqiptarë, i botuar nga Fakulteti për Gjuhë dhe Letërsi Malazeze, në krye të të cilit është eksperti i sprovuar në këtë fushë e njeriu i gatshëm për zgjerimin e bashkëpunimit shkencor e kulturor jashtë Malit të Zi, Adnan Cirgiq, është shembull i mirë i bashkëpunimit me fqinjët. Kontestimi i këtij bashkëpunimi nuk ka kuptim as për arsye të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët janë pjesë të qenies shtetërore të Malit të Zi, as për punën shkencore në tërësi dhe për bashkëpunimin e mirë me fqinjët në fushën e shkencës dhe të kulturës“, ka apostrofuar Ferhat Dinosha.

Me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, Dinosha thekson së është krenar që ka qenë pjesë e këtij projekti e procesi dhe mendon se shtetësia e Malit të Zi nuk do të rrezikohet, edhe pse tashmë ka tendenca në këtë drejtim. „Ashtu sic kam qenë optimist para 15 vjetëve se Mali i Zi do ta kthejë pavarësinë, tash jam optimist se atë Mal të Zi të referendumit askush s’do të mund ta tjetërsojë. Atë Mal të Zi e kanë përkrahur të gjitha identitetet nacionale që e përbëjnë, duke përfshirë edhe shqiptarët. Kjo është ngjarja më e rëndësishme në historinë më të re të Malit të Zi dhe ajo nuk mund të zbehet lehtë. S’do ta lejojnë këtë qytetarët dhe subjektet politike sovraniste dhe këtë duhet ta dijë mirë faktori ndërkombëtar që duhet të hetojë se disa forca tjera do të donin që rrjedhave në Mal të Zi t’u jepnin kahje tjetër. Malin e Zi askush s’do të mund ta kthejë nga rruga e sovranitetit, integritetit, pavarësisë dhe anëtarësimit në BE e NATO“. Pikërisht procesit të pavarësisë së Malit të Zi Dinosha ia ka kushtuar edhe librin „Nga pavarësia në pavarësi“, që së shpejti do të duhej të promovohej në Prishtinë.

„Kam dashur të jepja pikëpamjen time për ngjarjet në Mal të Zi që kanë sjellë pavarësinë, të mbetet i shkruar roli dhe kontributi i shqiptarëve në këto procese në Mal të Zi dhe sa të njëjtat kanë ndikuar në pavarësinë e Kosovës, e cila, po ashtu më flinte në zemër dhe për të cilën mendoja se do të ndodhte më lehtë sikur Mali i Zi do të bëhej i pavarur para pavarësisë së Kosovës, duke qenë i gatshëm që pastaj të dëshmonte se nuk ka probleme me realitetin e ri ballkanik. Kështu edhe ndodhi. Mali i Zi e ktheu pavarësinë në vitin 2006, kurse Kosova e jetësoi pavarësinë e vet në vitin 2008 dhe Mali i Zi ishte ndër shtetet e para që njohu shtetin e ri të Kosovës, duke shprehur gadishmëri që të vendosë marrëdhënie diplomatke me të“. Dinosha ka filluar të shijojë ditët e para të pensionit dhe nuk mendon që të vazhdojë të merret me politikë, por as që e përjashton një mundësi të tillë.

„Kam miq që më sugjerojnë t’i kthehem politikës, por jo edhe familja. Megjithatë, nuk i dihet. Nëse jo drejtpërdrejt, do të përpiqem të jap kontribut në proceset e mëtejme, sidomos nëse rrezikohet ajo që është arritur në referendumin e vitit 2006“, ka thënë Dinosha.

LEXO EDHE:

SBASHK do t’i drejtohet gjykatës, kërkon shtesat për mësimdhënësit