Sporti

“Nuk e mori pushimin prej 10 ditësh që i takoi” – Galtier me fjalë të mëdha për Mbappen

12/22/2022 11:03
nga:E K

Me pjesëmarrjen e tij në Botëror të mbyllur me hat-trick në finalen e humbur ndaj Argjentinës, të dielën Mbappe nuk humbi kohë dhe dje u paraqit tashmë për punë te PSG.

Me të mbërritur në Camp des Loges, qendra stërvitore për parisienët, në një video të publikuar nga klubi, sulmuesi – i cili pardje festoi ditëlindjen e tij të 24-të – tha vetëm se ishte “më mirë”, duke shpjeguar pse nuk i ka shijuar 10 ditët e pushimeve që i takonin, ashtu si Messi, përcjell GazetaBlic Sport.

“Është një shenjë e fortë për të gjithë, një lojtar që mund të ishte i zhgënjyer që nuk ngriti trofeun më të bukur, vendosi të kthehej shumë shpejt në kontaktet me grupin për t’u përgatitur për ndeshjet e radhës”, ka reaguar Christophe Galtier.

Prej ditës së djeshme, trajneri i PSG-së ka pasur edhe mbrojtësin e djathtë maroken, Achraf Hakimi, një tjetër lojtar i përfshirë në Botëror. Për shembull, brazilianët Neymar dhe Marquinhos kanë shfrytëzuar pushimin.

/GazetaBlic Sport/