Rastet e dhunës në familje përditë e më shumë rriten në vendin tonë. Jo rrallëherë prindërit janë viktima të dhunës fizike e psikike të shkaktuar nga fëmijët e tyre por edhe anasjelltas. Një rast i tillë ka ndodhur sot në Lipjan, por këtë herë babai është denoncuar nga djali i tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:00, në rrugën “Sadik Shala”, në Lipjan, ku djali ka denoncuar babain e tij pas një mosmarrëveshje që kishin pasur mes vete.
Mosmarrëveshja rezulton se ka nxitur djalin për të dalë nga shtëpia, por një veprim i tillë e ka revoltuar prindin i cili ka kundërshtuar në çdo mënyrë largimin e djalit.
Burimet thonë se pas kundërshtimit të prindit dhe situatës së krijuar në familje, 25-vjeçari nga Lipjani ka denoncuar rastin në Polici.
Pas raportimit të rastit dhe veprimeve hetimore preliminare, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj prindit për “Dhunë në familje”.