Sporti

“Nuk e dimë a jemi në Suharekë apo në Serbi”, analisti kosovar: Postim i papranueshëm dhe i turpshëm nga skuadra e Llapit

04/28/2021 18:17
nga:Mergim Rreci

Ballkani ka triumfuar ndaj Llapit me rezultat 1 me 0 në ndeshjen e sotme.

Ishte një ndeshje shumë interesante që u vendos nga goli i Blendi Baftiut, shkruan GazetaBlic.

Në pjesë e parë kishte disa probleme në mes dy skuadrave ku pati edhe përplasje nga të dyja kampet atje ku Kushtrim Gashi dhe Ahmed Januzi u ndëshkuan me karton të kuq.

E në lidhje me këtë ngjarje pas përfundimit të pjesës së parë ka reaguar skuadra e Llapit.

Në reagimin e tyre thuhej se nuk e kanë të qartë se a janë në Suharekë apo në Serbi.

Ky është postimi i plotë

“Përfundon pjesa e parë:
FC Ballkani – KF Llapi 1:0
Nuk e dimë a jemi në Suharekë apo në Serbi!
Kjo është turpi i vitit 2021, turpi i futbollit!
Sulmohen zyrtarët dhe futbollistët e Llapit, ka presion të vazhdueshëm nga shikuesit jashtë stadiumit që kalojnë mbi 300 të pranishëm!”

Në lidhje me këtë postim për GazetaBlic Sport ka folur edhe njohësi i mirënjohur kosovar, Genc Sermaxhaj.

Sermaxhaj tha se kjo sjellje është e papranueshëm dhe e turpshme dhe se gjërat e tilla duhet të ndalen.

“Nëse vërtetë ka ndodhur kështu, është e turpshme dhe e papranueshme. Gjërat e tilla duhet të ndalen dhe të mos veprojmë më kështu. Po i jepet hijeshi e keqe futbollit tonë. Ky vit është më se shumti i përfolur dhe me sjellje jo sportive pas pranimit në UEFA. Të kemi kujdes sepse mund të dënohemi dhe përveç kësaj nuk ka më hijeshi loja e futbollit. Gjithsesi se organet që janë kompetente duhet të merren dhe të dënojne vepruesit e tillë. Përveç kësaj tifozët nuk duhet të lejohen të grumbullohen shkak i Covid 19″ tha ai për GazetaBlic Sport.

/GazetaBlic/