Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar gjatë ditës së sotme se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve dhe se nëse është e nevojshme do të ofrojë edhe kuorumin pa kërkuar asgjë në këmbim.
“Kjo nënkupton që nuk do të pengojmë themelimin e institucioneve, në asnjë mënyrë, nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin, por na duhet zotimi i pastër me shkrim që këto veprime do të ndërmerren, në kundërvlerë nuk kërkojmë asgjë” deklaroi Gjini.
Gjini foli edhe për mundësinë që Ramush Haradinaj të propozohet për president të vendit, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte nder për Aleancën, por nuk do të vendoset si kusht për mbështetjen e tyre.
“Nëse Ramush Haradinaj do të propozohet për president, vlen e njëjta formulë, për neve do të ishte nder, por nuk jemi duke e vendosur si kusht. Ne mendojmë që Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj tash, mirëpo nuk po duam ta bllokojmë Kosovën për këtë bindje tonën që është e plotë dhe e pandryshueshme”, tha ai në konferencën për media raporton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me deklaratën e Gjinit ka folur për “Gazeta Blic”, profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.
Spahiu tha se kjo është një qasje e re në politikën kosovar, ‘nga pazari për kolltuqe politike në pazarin për ide politike’
“Është një qasje e re në politikën kosovare: nga pazari për kolltuqe politike në pazarin për ide politike. Është një progres i klasës politike të Kosovës” tha shkurt Spahiu për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Gjini: Nuk e bllokojmë Kosovën – s’do të kishte president më të mirë se Haradinaj


