Spanjë-Itali është dueli më i fortë i ditës së enjte në Euro 2024. Dy kundërshtarët e Shqipërisë në grupin B, do të ndeshen mes tyre në “Veltins Arena”, duke nisur prej orës 21:00.
Barazim e mendon këtë sfidë Rafa Benitez, trajneri i njohur spanjoll, i cili zgjedh edhe lojtarët e preferuar të të dyja skuadrave.
“Nuk më pëlqejnë parashikimet dhe pothuajse nuk i bëj kurrë, por kam ndjesinë se sonte takimi mund të përfundojë në barazim.
Është një ndeshje ndryshe dhe e veçantë. Spalletti dëshiron ta mbajë ekipi i tij topin, ndërkohë që Spanja kishte më pak posedim topi ndaj Kroacisë.
Por rezultati ishte 3-0 për Spanjën… Rëndësi ka krijimi i rasteve për gol dhe jo qarkullimi i topit vetëm për hir të estetikës së futbollit.
Sigurisht që të dy skuadrat mund të bëjnë llogari në aspektin teorik, nuk e përjashtoj. Si Spanja dhe Italia fituan takimet e para, por pa bindur plotësisht.
Kjo Spanja ka shpejtësi dhe është e frikshme në duelet një kundër një. Ndërkohë që Italia ka qarkullim topi dhe është më e rrezikshme në krahë.
Cilin do të doja të stërvitja? Federico Chiesën, një futbollist i ndryshëm me të tjerët. Do të zbavitesha shumë po të punoja me të. Nga Spanja më intrigon Rodri”, thekson Benitez.