Sporti

“Nuk besoj se do të jemi ndonjëherë miq”, Xhaka flet për raportin me tifozët

12/29/2021 08:35
nga:Mergim Rreci

Prej vitit 2016, kohë kur është transferuar në klubin e Arsenal, marrëdhënie e Granit Xhakës me tifozerinë ka qenë tejet e komplikuar.

Fillimi ishte i mbarë, por më pas erdhën polemikat e famshme për mënyrën se si mesfushori nuk respektoi fanellën e topçinjve duke e zhveshur në mënyrë demonstrative, ndërsa 29-vjeçari nuk i ka kursyer edhe gjestet në fushë ndaj tyre.

Këto sjellje bënë që Xhaka të humbiste shiritin e kapitenit dhe madje të vendosej në dyshim serioz vazhdimi i karrierës në Londër. Gjithsesi, duket se kohët e fundit ujërat janë qetësuar, edhe pse në një intervistë të fundit, Xhaka e pranon se tifozeria e Arsenal dhe ai nuk do të mund të kenë ndonjëherë një marrëdhënie të ngushtë apo raport miqësor.

“Njerëzit po tregohen të mirë me mua, e di mund të thonë ndonjë fjalë më tepër por kjo është normale në botën e futbollit. Gjithsesi, ajo që ndodhi para dy viteve na ka larguar shumë, e tashmë edhe pse nuk ka më tensione, besoj se nuk do të mund të kemi ndonjëherë një raport të ngushtë.

Por, unë i siguroj të gjithë se ashtu si nga dita e parë që jam këtu, deri në ditën e fundit unë do të jap maksimumin për Arsenalin. Sigurisht do të ketë edhe gabime pasi askush nuk është perfekt, por do të jap 100% në çdo stërvitje dhe ndeshje. Ky është mesazhi im i vetëm për fansat”, u shpreh mesfushori