Sporti

Nuhiu për vitin 2022: Ndeshjet ndaj Antwerpit ishin fantastike, lotët e Mujës kur e kuptoi se do transferohet ishin të paharrueshme

01/02/2023 14:52
nga:Lorik J

Ardian Nuhiu është një nga trajnerët më të mirë në Kosovë në vitet e fundit. Ai kishte suksese të mëdha me skuadrën e Dritës, teksa u largua nga klubi pas përfundimit të sezonit vjeshtor.

Nuhiu kishte momente të paharruara me klubin nga Gjilani sidomos në arenën ndërkombëtare, ku kishte rezultate pozitive dhe paraqitje të mira me skuadra të mëdha, shkruan GazetaBlic Sport.

Për të momenti më i mirë i vitit 2022 ishte ndeshja me Antwerp në Belgjikë – ku rezultati final ishte pa gola ndaj një skuadre me kaq traditë.

“Kisha veçuar ndeshjen me Antwerp në Belgjikë, rezultati pozitiv, loja kolektive dhe kompakte – por dhe ndeshja në Prishtinë që na janë perzier emocionet, eliminimi ishte dhimbja dhe ndërkohë lajmi që Muja po transferohet në atë klub të madh ishte gëzim”, tha fillimisht Ardian Nuhiu për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai poashtu veçon edhe ndeshjen e kthimit, ku pavarësisht eliminimit tha se kishte emocione për transferimin e Arbnor Mujës nga Prishtina në klubin belg.

“Lotët e Arbnorit nga gëzimi për transferimin gjithashtu dhe urimet qe po merte nga presidenca e drejtuesit, nga staffi dhe bashkëlojtaret – ka qenë fantastike”, përfundoi tekniku nga Shkupi.

/GazetaBlic Sport/