Skuadra e Dukagjinit të Klinës ka udhëtuar drejt Antalias së Turqisë për të vazhduar fazën përgatitore.
Klubi i Armend Dallkut do të qëndrojë për disa ditë në Antalia – ku do të përgatitet për sezonin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.
GazetaBlic Sport mëson se një nga ndeshjet miqësore që klubi i Dukagjinit do të luajë në Turqi është edhe ajo ndaj Vorskla Poltava, padyshim mjaft emocionuese për trajnerin kosovar të Dukagjinit, Armend Dallku.
Ish mbrojtësi shqiptar në të kaluarën ishte pjesë e Vorskla Poltava në Ukrainë, ku për 11 vite barti fanellën e këtij klubi dhe nga shumë persona shihet si legjendë e ekipit ukrainas.
Dallku ishte pjesë e këtij klubi nga viti 2005 deri në vitin 2016, ku kishte 292 paraqitje.
Tashmë i pensionuar nga futbolli profesionist, Dallku ka vazhduar karrierën si trajner, ku do të ballafaqohet me ish ekipin e tij.
Dukagjini dhe Vorskla Poltava do luajnë me 24 janar në Antalia të Turqisë.
/GazetaBlic Sport


