Norvegjia ka njoftuar të dielën se do t’ia dhurojë Ukrainës 103 milionë dollarë, për t’i ndihmuar në rregullimin e infrastrukturës së energjisë.
“Rusia po kryen sulme të mëdha sistematike për ta shkatërruar rrjetin energjetik, por ukrainasit po punojnë ditë e natë për të siguruar furnizim të nevojshëm me rrymë për popullsinë”, ka delaruar kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store.
Sipas vlerësimeve të reja, më shumë se 50 për qind e kapacitetit të Ukrainës për prodhimin e rrymës është shkatërruar, thuhet nga Qeveria.
“Ne jemi në bisedime të ngushta me Ukrainën për mënyrën se si ajo mund t’i përdorë këto të holla. Ukrainasit e dinë më së miri se çfarë nevojitet”, ka deklaruar Store.
Ai ka shtuar se është e rëndësishme të fillojë ndreqja e rrjetit energjetik para së të vijë dimri.
Po ashtu, ai ka thënë se një pjesë e parave do të përdoren për riparime në rajonin e Harkivit, i cili është goditur në veçanti nga sulmet ruse muajt e fundit.
Ukraina ka njoftuar më herët këtë javë se do ta vazhdojë importimin e rrymës në sasi rekorde, për ta plotësuar mungesën e energjisë elektrike, e cila vjen si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të Rusisë në infrastrukturën e saj energjetike.
Operatori i rrjetit energjetik të Ukrainës, Ukrenerho, tha më 14 qershor se do t’i importojë 31.904 megavat rrymë në orë, duke e thyer rekordin e kaluar prej 29.796 megavat në orë të importuara në fillim të kësaj jave.
Rusia i ka rritur sulmet me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës prej marsit, duke shkaktuar reduktime të shpeshta të rrymës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kievi është detyruar të importojë rrymë nga Bashkimi Evropian për t’i mbajtur dritat ndezur.