Lajme

Nga Haga e deri te karriga e të parit të PDK-së nga Limaj- Blic sjell detaje ekskluzive për rikthimin e “Çelikut” në partinë e dikurshme

01/16/2023 14:06
nga:N M

Që nga 15 dhjetori kur Fatmir Limaj Limaj ishte në vizitë në Hagë tek ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniq e Rexhep Selimi, “Çeliku” ka nisur një ‘ofensivë’ ku pothuajse çdo natë po takohet me disa prej “Gardës së Vjetër” të Partisë Demokratike të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Herë në oda me mish, raki e shahirë, e herë në restorante të ndryshme Fatmir Limaj po takon një pjesë të PDK-së e ashtu quajtur si “garda e vjetër”, ku bëjnë pjesë Sami Lushtaku, Adem Grabovci, Ramë Buja, Gani Koca, Rafet Rama e ish- gjeneralë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pjesë e PDK-së.

Këto takime kanë ngjallur reagime të shumta për një nismë apo ide të re që Fatmir Limaj dikur në luftë i njohur si komandant “Çeliku”, të mund të rikthehet në ‘shtëpinë’ e tij, Partinë Demokratike të Kosovës.

E dikush që po e shtynë fortë përpara idenë që Limaj të kthehet në PDK, Adem Grabovci ka folur gjerë e gjatë për Gazeta Blic për këtë çështje.

Grabovci ka thënë pa hezitim se jo vetëm Fatmir Limaj por kushdo që e sheh vetën se mund të kontribuoj në PDK për proceset në të cilat po kalon vendi, PDK i ka dyert e hapura për secilin.

“Jo vetëm Fatmir Limaj, por edhe shumë personalitet të tjera nga akademia, kultura, arti që kanë shprehë gatishmëri me hy në PDK dhe kushdo që e vlerëson dhe e gjënë vetën, e që mund të kontribuoj në procese duke qenë në PDK. PDK është e hapur për të gjithë edhe interesi edhe i PDK edhe proceseve dhe anëtarësisë e bënë që PDK të jetë sa më e fuqishme, të fuqishme e bëjmë PDK duke u bashkuar njerëzit. PDK kurrë nuk ka pasur një logjik të përjashtimit, por integrimit dhe pranimit të kujtdo qoftë”, ka thënë Adem Grabovci.

Sipas Grabovcit partia që dikur ishte gjatë në pushtet është e hapur për secilin duke thënë se PDK nuk njeh moshë, gjini apo profile të ndryshme që duan t`i bashkohen tashmë partisë më të madhe opozitare.

“Ka shumë personalitete që e gjejnë veten në PDK. Kanë çka të japin. PDK ka qenë dhe është e hapur. PDK nuk njeh moshë, por dëshirë dhe vullnet. PDK është e hapur për të gjithë… janë të shumë të mirëseardhur të gjithë të bashkohemi, mos t`i mohohet askujt kontributi. Gjatë rrugës tonë nuk jemi të përkryer, kemi gabimet tona, kemi bërë lëshimet, por nuk janë bërë me qëllime dashakeqe … momente të caktuara gjatë punës. Gjatë këtyre kohëve sa kemi qenë në teren ka një disponimi të votuesve të anëtarëve të simpatizantëve të PDK që të jemi bashkë dhe kësisoj mund të ketë një forcim të PDK dhe vendi ne merituar si parti për të udhëhequr me proceset dhe sfidat nëpër të cilat po kalon vendi”, ka thënë Grabovci për Gazeta Blic.

Por ideja e Sami Lushtaku , Adem Grabovci e disa të tjerëve që njihen si ‘garda e vjetër’ e PDK zor se mund t`i ‘dhez’ ideja që Famit Limaj mund të bashkohet në partinë që ishte dikur.

Drejtuesit aktual të Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë thënë asgjë për këtë nismë të njerëzve të fuqishëm dhe me ndikim dikur në PDK.

I pyetur nëse udhëheqësit aktual të PDK-së, Memli Krasniqi, Vlora Çitaku dhe të tjerët janë kundër që Fatmir Limaj të kthehet në PDK, Grabovci ka pasur një përgjigje interesante për ta.

“Gjithsecili e ka mendimin e vetë unë e thash atë çka mendoj. PDK nuk është sikur ata autobusët e vjetër kur konduktori e përcaktonte kush mund të hyjë dhe zbres nga autobusi”, ka thënë Grabovci.

E, një ish deputet i PDK i cili ka marrë pjesë pothuajse në secilin takim të Limajt – Lushtakur – Grabovcit e të tjerëve, Gani Koci ka thënë shkurt se nuk dëshiron të flas për media tash e një kohë duke sugjeruar redaksinë që të flas me dikë tjetër.

“Ka kohë që nuk flas për media… mos më keqkuptoni, por për këtë çështje flisni me Adem Grabovcin”, ka thënë Koci shkurt për Gazeta Blic.

E, dikush tjetër që po ashtu ka marrë pjesë në këto takimet qoftë në oda apo diku tjetër ndërmjet Fatmir Limajt dhe Sami Lushtakut Adem Grabovcit dhe të tjerëve, Bujar Cakolli, anëtar i Këshillit Drejtues Qendror në PDK ka folur për Gazeta Blic e ku ka zbardhur takimet ndërmjet Limajt dhe gardës së vjetër të PDK.

Edhe Cakolli është i mendimit se Fatmir Limaj duhet të kthehet në PDK.

“Unë nuk mund të flas në emër të askujt sa i përket asaj se kush është që Limaj të rikthehet në PDK. Unë flas vetëm në emër timin, unë jam që të gjitha ata që për arsye të ndryshme kanë gabuar dhe janë larguar nga PDK përfshirë edhe Fatmir Limajn të rikthehen në PDK”, thotë Cakolli.

Ky anëtarë i PDK ka pasur edhe një përgjigje për Ramiz Lladrovcin aktualisht kryetar i Drenasit, i cili përmes një statusi në Facebook ishte shprehur haptazi kundër që Fatmir Limaj të rikthehet në PDK.

Lladrovci përmes një ‘meseleje’ me dele dhe çobanë kishte goditur fortë Fatmir Limaj.

“Unë kam respekt për z. Lladrovci, por edhe ai në të kaluarën ishte larguar nga PDK dhe kishte shkuar në AAK, e me pas përsëri është rikthyer në PDK, prandaj reagimin e tij e konsideroj joparimor”, thotë Bujar Cakolli.

Sipas këtij anëtari të PDK, kushdo ka të drejtë të mblidhet nëpër oda e sidomos kur bëhet fjalë për ish ushtarë të UCK dhe shokë të luftës.

“Takimet e Limajt me bashkëluftëtarët e tij, me se paku i shoh si takime partiake. Të gjithë ish pjesëtarët e UÇK ka gjithë të drejtën që të takohen se bashku, nuk është e drejt t`i gjykoj se pse takohen miqtë e vjetër. Dikush takohet në odë, dikush në kafe, dikush në vende të tjera”, tha ai.


Sipas këtij anëtari të PDK kushdo nga udhëheqja aktuale e PDK që është kudër kthimit të Fatmir Limajt është kundër ardhjeve të reja në PDK, është kundër vet PDK.

“Tashmë është e qartë që udhëheqja aktuale është barrikaduar në 3-4 persona. Për fat të keq, mendoj se njerëzit më të afërt të Kryetarit aktual janë duke menduar të zënë vendin e tij. Ekipi e zgjedhur nga vet kryetari e ka lënë në lloçë atë, një pjesë të madhe të anëtarëve të Kryesisë së partisë as nuk i njohim. Ata janë pasiv në rrjete sociale, në organizim dhe punë për partinë në teren dhe totalisht janë të pavërejtshëm në opozitë bërje përball Albin Kurtit” vlerëson ai.

Por si mund të kthehet Fatmir Limaj dhe cilat janë kushtet e tij?

Gazeta Blic nga burime të sigurta nga Partia që drejtohet nga Fatmir Limaj kanë thënë se “Çeliku” i ka hyrë seriozisht kësaj pune.

Madje sipas këtij burim nga udhëheqja e PDK aktuale nuk kanë në parim një “JO” për Limajn, i cili tashmë duket e ka vendosur të kthehet në partinë që ishte dikur.

“Fatmir Limaj mund të kthehet në PDK vetëm si kryetar dhe me kushtin që në këshillin Drejtues, dhe në secilin organ tjetër drejtues të PDK të jenë njerëz që njihen si ADN e partisë”, ka thënë ky burim.

Burimi i gazetës ka thënë se një marrëveshje e tillë mund të arrihet në mars të këtij viti, por para se mars të arrijë, Fatmir Limaj, Sami Lushtaku dhe të tjerët po mendojnë për një aktivitet tjetër, që po vlerësohet si vulë nëse Limaj mund të rikthehet në PDK.

 

PDK gjatë javës i përgjigjet Fatmir Limajt

Deri në këto momente askush në Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka thënë asgjë rreth asaj nëse Limaj mund të kthehet në PDK.

Përveç disa statuse në Facebook të nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku – statuse këto që “sot e kësaj dite nuk dihet se mesazh për kënd ishin”.

Por burime nga kjo partia kanë thënë se Fatmir Limaj gjatë javës do të marrë një përgjigje indirekte për kërkesën e tij.

“Kryetar i partisë Memli Krasniqi gjatë javës do të jetë i ftuar në një prej studiove televizive dhe aty do të flas për këtë çështje”, ka thënë ky burim.

A duhet të kthehet Fatmir Limaj në PDK?! Xhavit Haliti me një qëndrim ‘interesant’