Lajme

Nesër takimi i fundit i Grupit Punues për udhëzimin administrativ- Çfarë pritet të bëhet rreth zgjedhjeve të reja në Veri?

08/30/2023 13:40
nga:Genita C

Kryesuesi i Grupit Punues për udhëzimin administrativ rreth zgjedhjeve në Veri, Besim Myrtezani i tha GazetësBlic se janë duke i bërë përgatitjet e fundit.

Myrtezani shtoi se nesër do të jetë takimi i fundit ku edhe do të flasin për detaje rreth kësaj çështjeje.

Pavarësisht kësaj, Myrtezani thotë se ky diskutim publik mund të shtyhet edhe për pak kohë nëse nesër nuk marrin ndonjë ide apo propozim të ri.

“Udhëzimi është paraprakisht në diskutim publik, nesër kemi takimin e fundit të grupit të punës dhe po besoj që më 1 shtator do të jetë gati ky udhëzim për zgjedhjet në veri të Kosovës”, tha ai.

“Nesër do të flasim për detaje se do të ketë nevojë për ndonjë shtyrje tjetër, pra, nëse nuk marrim shumë ide ose ndonjë propozim, mund të shtyhet edhe pak ky diskutim publik”, shtoi Myrtezani për GazetaBlic.

Ndryshe, disa ditë më parë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dhënë detaje në lidhje me procedurat për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat në veri.

Ai ka sqaruar se Grupi punues i themeluar duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë deri me datën 1 shtator të këtij viti, duke pohuar se kjo do të vlejë për gjithë vendin e jo vetëm për veriun.

Ai ka sqaruar se ndonëse kishin nisur ndryshimet e ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kjo nuk u mundësua për shkak se duheshin 2/3 e votave të deputetëve të komuniteteve.

Krasniqi nga Lipjani, shtoi se dorëheqja e kryetarëve nuk mund të kërkohet, por që duhet të vendoste me mekanizma ligjore, siç është në këtë rast peticioni.

“Ligji për Vetëqeverisje Lokale ka shumë mangësi dhe ka shumë hapësirë që të korrigjohet e plotësohet, ju e dini që kemi iniciuar plotësimin e ligjit ne i kemi bë disa propozime i kemi prezantuar mirëpo nuk është vendosur në votim, ngase duhen 2/3 e votave edhe të komuniteteve. Kjo na ka vu para situatës që nga kjo se cilat udhëzime që t’i zhvillojmë. Së fundi kemi filluar mbi procedura si organizohet një peticion, buron nga ligji neni 72, të shohim se cila do të jenë gjetje e tyre”.

“Grupi ka afat një muaj që ta bëjë draftin dhe mandej të jetë nga 1 shatori udhëzim, mirëpo çka është e rëndësishëm ky është udhëzim që buron nga ligji nuk vlen vetëm në veri, mund të shfrytëzohet nga të gjitha komunat. Unë jam shumë i bindur që do të jetë profesional. Kryetarët në veri kanë fituar mandat, dorëheqja nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër përveç se me peticion nga qytetarët”.

“Unë mund të flas për Listën Serbe, ne kemi zgjedhje legale në Republikën e Kosovën, pengesa që të marrin pjesë në zgjedhje ka pasur, për atë na duhet të fokusohemi në punën tonë, udhëzimi është aty. Udhëzimi e përcakton se si organizohet peticioni, përpilimi i peticioni ka edhe proceduar të tjera. Ne i kemi kryetarët në zyra, peticioni është shprehej e vullnetit të 20% të qytetarëve. Ne nuk bëjmë asnjë dokument që është i veçantë për një zonë, por për tërë Kosovën”.

Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.