Lajme

Njohja që s’erdhi, Behgjet Pacolli flet për GazetaBlic

12/23/2021 14:59
nga:M K

Në opinionin politik kosovar vazhdon të diskutohet çështja e njohjes së re, të cilën ditë më parë e paralajmëroi ish-presidenti Pacolli.

Qe e para e shtetit, Vjosa Osmani, e cila sot në një konferencë për medie të përbashkët me presidentin kroat, Zoran Milanoviq, komentoi këtë çështje, duke thënë se është në interes të Kosovës që derisa mos të ndodhë njohja, të mos bëhen publike takimet respektive mes palëve, përcjell GazetaBlic.

“Është në interesin e Kosovës që derisa të ndodh njohja të mos bëhen publike takimet me shtetet që ende nuk na kanë njohur. Kjo e dëmton interesin e Kosovës… Kushdo që për interesa personale ose çfarëdo qofshin ato tenton që të bëj publike përpjekjet tona drejt njohjeve ende pa arritur rezultatin për fat të keq vetëm dëmton interesin e vendit”, tha Osmani.

Osmani: Po punojmë për njohje të reja, po riparojmë dëmet pasi politika e jashtme ishte e fjetur dhe e çakorduar

Lidhur me këtë GazetaBlic ka kontaktuar me njeriun që ditë më parë bëri bujë duke publikuar një letër publike për kryeministrin Kurti, Behgjet Pacolli.

Ky i fundit konfirmoi një njohje në ardhje, por pa dhënë më shumë detaje, duke shtuar në fund se është i gatshëm gjithmonë të bashkëpunojë me autoritetet në të mirë të vendit.

Ndërkaq, për portalin, Pacolli u shpreh se gjithmonë i ka kryer obligimet, si ndaj shtetit ashtu edhe ndaj njerëzve.

“Unë gjithmonë i kam kryer obligimet ndaj njerëzve e shtetit. Kështu do të veproj edhe në të ardhmen, me përgjegjësi, dinjitet e profesionalizëm, në kohë dhe me precizitet”, tha Pacolli për GazetaBlic.

/GazetaBlic/