Lajme

“Njohja është larg”/ Agusholli reagon ndaj Stanos: Mashtrim i rëndë ndaj qytetarëve – BE ta mbajë anën e duhur

07/01/2024 21:55
nga:G B

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se njohja e Kosovës nga Serbia është larg dhe se qëllimi tani është normalizimi i raporteve mes dyja shteteve.

Kështu deklaroi ai sot, një ditë para takimit në mes të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Lidhur me këtë, një një prononcim për Gazeta Blic, deputeti i VV-së, Gramos Agusholli, thotë se ky është mashtrim i rëndë, pasi gjatë gjithë kohës synimi ka qenë normalizimi i raporteve dhe njohja reciproke.

Sipas tij, populli është mashtruar nëse qëllimi është ndryshuar pa konsultim apo paralajmërim.

“Fillimisht, unë refuzoj ta besoj këtë deklaratë, sepse nëse gjatë gjithë kësaj kohe synimi ka qenë normalizimi i raporteve dhe jo njohja reciproke, atëherë na kanë mashtruar rëndë. ë nga fillimi i negociatave, na është thënë se qëllimi përfundimtar është njohja reciproke mes dy vendeve. Nëse tani ky qëllim ka ndryshuar pa ndonjë paralajmërim apo konsultim të gjerë, kjo përbën një mashtrim të madh ndaj popullit tonë”, shprehet ai.

Deputeti vlerëson se Stano nuk mund të merret shumë seriozisht, pasi ka bërë shumë gabime lidhur me Kosovën.

“Gjithashtu, duhet të theksoj se zëdhënësi i BE-së ka bërë edhe më parë gabime në lidhje me shtetin tonë, kështu që nuk mund të merret gjithmonë seriozisht çdo deklaratë e tij”, thekson Agusholli për Gazeta Blic.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë vuajtur pasoja të mëdha dhe do të ishte padrejtësi e madhe ndaj tyre që tani të ndërrohet narrativa.

“Qytetarët tanë kanë vuajtur pasoja të mëdha për shkak të marrëdhënieve të ndërlikuara dhe të paqarta me vendet e tjera gjatë viteve të fundit. Ata kanë përjetuar pasiguri dhe kanë vuajtur ekonomikisht e politikisht për shkak të mosqartësisë së qëndrimeve ndërkombëtare. Të ndryshohet narrativa tani, pa një arsye të qartë dhe të arsyeshme, do të ishte një padrejtësi e madhe ndaj tyre”, potencon deputeti.

Agusholli shton se edhe pse njohja është larg, BE duhet ta mbajë anën e duhur dhe ta mbështesë fuqishëm procesin e njohjes reciproke.

“Edhe pse njohja reciproke është ende larg të ndodhë, është e rëndësishme që BE-ja të mbajë anën e duhur në këtë çështje. Bashkimi Evropian duhet të mbështesë qartë dhe fuqimisht procesin e njohjes reciproke, duke bërë të qartë që ky është një hap i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/

 

Stano pyetet për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi: Qëllimi është normalizimi i raporteve, njohja është larg