Lajme

Njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale, kërkohet zgjatja e afatit për aplikim

02/28/2022 13:17
nga:Gazeta Blic

Komisioni për të Drejtat e Njeriut do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës zgjatjen e afatit të aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, kanë raportuar përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, ku më pas u tha se deri më tani kanë aplikuar mbi 1600 persona, prej tyre janë aprovuar 1100 lëndë, ndërkaq janë refuzuar 225 raste.

Pas takimit me dyer të mbyllura, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje tha se në këtë takim është diskutuar për numrin e aplikimeve dhe punën e komisionit që ka mandat pesëvjeçar.

Ajo shtoi se është siguruar nga anëtarët e komisionit, që prioritet mbetet mbrojtja e konfidencialitetit i secilit person që aplikon me pretendimet se është abuzuar seksualisht gjatës luftës së fundit në Kosovë.

Balje: Kemi vendosur që t’i bëjmë thirrje qeverisë që të vazhdohet koha për aplikim

“Ne si komision sot kemi vendosur që të bëjmë një thirrje qeverisë, në bazë të ligjit që të bëhet vazhdimi i kohës për aplikim të grave. Edhe unë u bëj thirrje publike që secila grua nëse ka përjetuar këtë, të shkojë edhe të aplikojë për njohjen e statusit… Këtu kemi dy afate, afatin që komisioni është duke punuar dhe afati për aplikim të grave. Ne si komision kemi marrë obligim që t’i bëjmë një letër qeverisë për të vazhduar koha për aplikim. Sepse edhe një vit, sipas ligjit kanë mundësi. Edhe të ndryshohet ligji vetëm në këtë pikë”, ka thënë ajo.

Edhe kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, Leonora Selmani ka kërkuar zgjatjen e afatit për aplikim të viktimave. Ajo ka treguar për numrin e personave që tashmë u njihet statusi ligjërisht, si person i dhunuar seksualisht nga agresori serb.

Selmani: Deri më tani kanë aplikuar 1650 raste

“Deri më tani, komisioni i ka pranuar lëndët, gjithsej 1650 raste. Prej të cilave vlen të theksohet se 1138 janë të aprovuara, do të thotë 79.2 për qind të rasteve janë aprovuar. Ndërkaq, 225 prej tyre apo 15.62 për qind janë refuzuar. Në pritje për intervistë janë 62 raste dhe jashtë vendit janë shtatë raste të tjera. Aktualisht presin për t’u trajtuar edhe 198 raste”, ka deklaruar ajo.

Selmani shprehet se periudha e pandemisë ka ndikuar në punën e komisionit dhe numrin e rasteve, të cilat kanë deponuar lëndët e tyre pranë këtij komisioni qeveritar.

KosovaPress mëson se numri i kërkesave për rishqyrtim të lëndëve është mbi 300. Pas procesit gjyqësor, janë aprovuar dhjetë raste, ndërkaq janë refuzuar tetë të tjera. Gjatë këtyre dy muajve kanë aplikuar 28 raste të reja, për njohjen e statusit nga shteti.

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018. Afati i fundit për të paraqitur kërkesën për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale është pesë vjet nga fillimi i punës së komisionit.