Njohja e Palestinës nga Britania, Australia dhe Kanadaja një zhvillim i madh diplomatik
Njohja e Palestinës nga Britania e Madhe, Australia dhe Kanadaja është një hap i rëndësishëm politik e diplomatik. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon menjëherë realitetin në terren, ku konflikti dhe pushtimi vazhdojnë, si dhe pengjet izraelite do jenë nën kërcënimin për vrasje nga Hamasi.
Rrënjët e konfliktit Palestinë–Izrael –
Konflikti arabo-izraelit ka dekada që zgjat, pra për hebrenjtë, toka ku jetonin palestinezët konsiderohej e drejtë biblike dhe vend ku ata duhej të ktheheshin.
Për palestinezët, izraelitët janë pushtues të tokave të tyre, pra, mosnjohja mes Izraelit dhe Palestinës nënkupton mohimin e ekzistencës ligjore të shtetit tjetër. Sipas ish-sekretarit amerikan Henry Kissinger, kjo nënkupton ruajtjen e mundësisë për ta shkatërruar njërën palë tjetrën, në vazhdimësi.
Jerusalemi – një qytet i shenjtë për tri fe –
Jerusalemi (Yerushalayim / al-Kuds) është një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishme në botë. Ai ka një simbolikë të madhe për krishterimin, islamin dhe judaizmin, që të tria e lidhin prejardhjen me figurën e Abrahamit/Ibrahimit.
Për të krishterët: Kisha e Varrit të Shenjtë ndodhet këtu, në vendin ku sipas traditës Jezusi u kryqëzua, u varros dhe u ringjall. Ajo menaxhohet bashkërisht nga Patriarkana Ortodokse Greke, Françeskanët, Patriarkana Armene dhe kisha të tjera më të vogla. Ky është një destinacion kryesor pelegrinazhi për miliona të krishterë.
Për myslimanët: Në Haram al-Sharif (Faltorja Bujare) gjenden Xhamia el-Aksa dhe Kupola e Shkëmbit, dy nga vendet më të shenjta të Islamit.
Çfarë ndryshon në aspektin diplomatik njohja e Palestinës nga këto tri vende –
Izolimi i SHBA-së – Tashmë katër nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit e njohin Palestinën. Vetëm SHBA mbetet kundër. Pesha simbolike – Njohja i jep më shumë legjitimitet pretendimit palestinez për shtetësi. Presioni mbi Izraelin – Vendimi rrit presionin diplomatik mbi Izraelin, pasi vjen nga aleatë të afërt të tij dhe të SHBA-së.
Roli në OKB – Edhe pse nuk sjell anëtarësi të plotë për shkak të vetos amerikane, kjo i hap rrugë një pranie më të fortë palestineze në organizatat ndërkombëtare. Ndryshim në opinionin publik – Vendimi reflekton presionin e shoqërive perëndimore mbi qeveritë e tyre pas imazheve nga Gaza.
Çfarë nuk ndryshon në aspektin diplomatik njohja e Palestinës nga këto tri vende-Situata në terren – Kufijtë nuk janë të përcaktuar, palestinezët nuk kanë kontroll sovran dhe lufta në Gaza vazhdon. Procesi i paqes nuk ka negociata të vërteta mes palëve dhe njohja nuk e detyron Izraelin të ndryshojë qasje.
Reagimi izraelit – Izraeli paralajmëron hapa më agresivë, përfshirë aneksime të reja në Bregun Perëndimor. Kryeministri Netanyahu e ka quajtur njohjen “shpërblim për terrorin”. Bllokimi amerikan, pra, SHBA do të përdorë veton për të ndalur anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB.
Përfundim –
Me pak fjalë mund te themi se njohja e Palestinës nga këto tri vende : Britania e Madhe, Kanadaja, dhe Australia, nuk sjell shtetësi të plotë për Palestinën, por është një pikë kthese politike. Ajo tregon se një pjesë e madhe e botës, përfshirë aleatë të ngushtë të Izraelit dhe SHBA-së, nuk e pranon më status quo-në dhe kërkon një zgjidhje me dy shtete.
Nëse ky pajtim nuk ndodh, humbësit më të mëdhenj do të mbeten civilët nga dyja anët. Situata përshkruhet më së miri nga poeti palestinez Mahmoud Dervish:
“Lufta do mbarojë,
liderët do të shtrëngojnë duart,
por do mbesë një nënë që pret të birin e vet,
një grua që pret burrin e saj,
dhe fëmijë që presin atin e tyre.
Nuk e di kush e shiti atdheun,
por e pashë kush e pagoi çmimin.”