Lajme

Njohësit e zhvillimeve politike: ‘Nuk jemi as afër formimit të Qeverisë dhe as afër zgjedhjeve’

09/10/2025 11:27
nga:Y I

Pas disa muajsh ngërçi institucional, deputetët arritën të zgjidhnin kryetarin e Kuvendit, por jo konstituimin e plotë të tij.

Çështja ka ngecur tek zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb për çka Lista Serbe ju drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e nxjerrë disa ditë më parë vendosi masë të përkohshme prej 30 ditësh duke ndaluar çdo veprim të deputetëve.

Pas kësaj situate të krijuar janë shtuar zërat se vendi mund t’iu drejtohet sërish zgjedhjeve të reja parlamentare.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar dje se në rrethanat aktuale politike në Kosovë, zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza mbeten zgjedhjet e reja parlamentare.

Ajo vlerëson se situata e krijuar në Kuvend ka tejkaluar kuadrin normal institucional dhe nuk ka më hapësirë për kthim në funksionim të zakonshëm.

“Nëse do të kemi aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë unë mendoj që në aspektin demokratik dhe të funksionimit institucional, zgjidhja e vetme nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja parlamentare. Nuk e shoh të mundshme kthimin në normalitet pas gjithë kësaj bllokade”, ka deklaruar Kusari-Lila raporton “Gazeta Blic”.

A jemi më afër zgjedhjeve apo formimit të Qeverisë?

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Avni Arifi, tha se ‘as formimi i Qeverisë dhe as zgjedhjet e reja nuk janë afër’.

Ai tha se ato mund të ndodhin vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mund të jenë diku në pranverë.

“Nuk jemi as afër formimit të Qeverisë dhe as afër zgjedhjeve. Nuk mund të kete zgjedhje pa konstituim të Kuvendit e nuk mund të ketë konstituim të Kuvendit pa e votu shumica parlamentare nenkryetaret nga pakicat. Do të ketë vendim të Gjykates Kushtetuese dhe pastaj sipas të gjitha gjasave diku ne mars-prill do te kemi zgjedhje” tha Arifi për “Gazeta Blic”.

Ndërsa ish-diplomati, Gjergj Dedaj, tha për “Gazeta Blic” se mungesa e numrave për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë imponon zgjedhjet e reja.

Dedaj tha se ‘caktimi urgjent i datës së zgjedhjeve të reja është një dritë në tunelin politik kosovar dhe një parandalim i ekstremistëve të LVV’.

“Mungesa e numrave për formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, imponon zgjedhjet e reja dhe fundin e agonisë politike të demokratures së regjimit neokomunist të LVV.Prandaj, caktimi urgjent i datës së zgjedhjeve të reja është një dritë në tunelin politik kosovar dhe një parandalim i ekstremistëve të LVV, të cilët për pushtet duan t’a rrezikojnë partneritetin, integritetin, sovranitetin dhe legjitimitetin e shtetit dhe të Republikës së Kosovës.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhët të ndodhë për arsye të shpalljes së zgjedhjeve të reja, duke e kaluar fatin e Kosovës te qytetarët dhe sovrani, për të mos e lënë në duar të dezertorëve, matrapazëve dhe uzurpatorëve të Republikës së Kosovēs” tha Dedaj për “Gazeta Blic”.

Ai pati kritika ndaj Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti ku tha se ata ‘për pushtetin dhe egot e tyre të sëmuara, po i dëmtojnë institucionet shtetërore të Kosovës’.

“Kurti dhe Osmani, për pushtetin dhe egot e tyre të sëmuara, po i dëmtojnë institucionet shtetërore të Kosovës dhe skajshëm kanë rrezikuar demokracinë, Kushtetuten dhe të ardhmen demokratike të Republikës të Kosovës. Bllokada gjysëm-vjeqare që po i bëjnë krijimit të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, në mungesë të 61 votave dhe nga friga e humbjes së pushtetit personal, nepotist, populist, diversant dhe klanor, ata janë përgjegjës për bllokaden dhe ngërçin politik dhe ekonomik, si dhe për dëmtimin e imazhit ndërkombëtar dhe të izolimit të Kosovës” tha Dedaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

Kusari-Lila: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja, nuk ka kthim në normalitet pas kësaj bllokade!