Edhe 6 pacientë po vazhdojnë të trajtohen në spitalin e Slavenski Brdodit, raporton Gazeta Blic.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim të lëshuar për media nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesin e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Njoftimi i plotë i Qeverisë:
Në spitalin e Slavonski Brodit po marrin ende trajtim mjekësor gjashtë të lënduar në aksidentin tragjik
Prishtinë, 7 gusht 2021
Gjashtë qytetarë të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci ende janë në trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.
Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesin e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët.
Në momentin e aksidentit, që ndodhi më 25 korrik në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci, në autobusin që po qarkullonte në linjën Frankfurt- Prishtinë kanë qenë 67 pasagjerë dhe 2 shoferë.
Në spitalin “Dr. Josip Benčević” kanë marrë ndihmë mjekësore 42 qytetarë. 10 bashkatdhetarë nuk i mbijetuan aksidentit.
Pas përfundimit të trajtimeve mjekësore dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, në Gjermani janë kthyer me aeroplan 7 qytetarë, ndërsa njëri me transport të veçantë.
Në Kosovë, në formë të organizuar dhe privatisht janë kthyer 53 qytetarë.
Qeveria e Republikës së Kosovës u dëshiron shërim të plotë të lënduarve të hospitalizuar dhe i siguron se do të vazhdojë përkujdesin dhe angazhimin për ta.


