Opinion

Nji leksion si me u përgatitë psikologjikisht për Rendin e Ri Botnor

29 ditë më parë
nga:Halil Matoshi

Shkruan: Halil Matoshi

Pse jam në anën e trumpistave dhe si po e zavendëson shtetin/komb korporata?

1.
Ndryshimi po bâhet nomosi i epokës tonë dhe pjesë e pashmangshme e jetës, porse duhet me e ditë se me u përballë me ndryshimin nuk âsht e letë.
Munet me u doktë dërrmuese ose e frikshme kur nuk e dijmë me saktësi se çfarë ka me ndodhë ose çfarë jemi tuj pritë!?

Na duhet me gjetë mënyra e mekanizma me i bâ këto transicione ma të buta dhe jo aq stresuese.
Jemi në nji epokë (post-truth) kur para syve po na shemben konceptet moderne për shetin/komb dhe marrdhaniet ndërkombëtare po zavendësohen nga marrëveshjet korporative.

Sëkëndejmi, asnji e keqe nuk vjen, nga diskursi i Presidentit Donald Trump, nëse i mbyllim kapakët e librave të klasikëve si “Politika ndërmjet kombeve: beteja për fuqi dhe paqe” të Hans J. Morgentau (themeltar i teorisë realiste) dhe hyjmë në realitetin e nji bote të re post-westphaliane ose po e embojmë si trumpizëm!
Trumpizmj i trajton shtetet si korporata, e marrdhaniet ndërmjet tyne si transanksione financiare, kurse aleancat si marrëveshje tregtare.

Korporatat bazohen në sovranitet e prestigj (ku përfshihen sa ma shumë njerëz e entitete) kurse aleancat janë piknisht si marrveshjet tregtare (raport ofertë-kërkesë, çmime liberale t’përcaktueme nga tregu i lirë); sepse, nëse dikur vlente shumë në tregje çeliku (madje disa shtete europeanane lidhë aleancën e parë më 18 Prill 1951.

Në fakt BE e ka zanafillën si aleancë e gjashtë shteteve europeane: Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu, për çelikun.
Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut i mbështetun në planin Schuman, âsht lidhë me traktat nga gjashtë vende për me drejtu industritë e tyne të qymyrit dhe çelikut nën nji menaxhim të përbashkët.

Para 74-vjetësh aleanca ndërmjet shteteve lidheshin për çelikun, kurse sot vlejnë aleancat rreth mineraleve të rralla!?

Çka ka këtu që nuk shkon?

2.
Novatorja Allison Dabbs Garrett (lindur në 1964) është një avokate dhe edukatore amerikane që ka studju në Oklahoma Christian University dhe Georgetown University Lav Center, i karakterizon korporatat si sovrane.

Ajo mendon se në dy shekujt e fundit, sovraniteti u transferua nga monarku te njerëzit; kurse sëfundi nga njerëzit, ka kalu tek korporata. Jemi dëshmitarë të erozionit të koncepteve tradicionale westfaliane të sovranitetit, ku loja e shahut e politikës ndërkombëtare luhet nga shtetet-kombe, ku secili qeveris një zonë të caktuar gjeografike dhe grup njerëzish.

Për Garrett, Eulogjitë (fjalim ose shkrim që lavdëron zakonisht dikë që sapo ka dekë) për shtetin-komb shpesh përmendin globalizimin si shkakun e dekës. Dhe
‘Causa mortis’ e tij vjen nga rritja e fuqisë dhe ndikimit normativ të organizatave mbikombëtare, si Kombet e Bashkueme, Banka Botnore, Bashkimi European, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat joqeveritare.

Gjeografia po e hupë randësinë e dikurshme, kurse mallnat me vlerë – vëren ajo – kalojnë në çast përtej, përmes dhe nën kufijtë gjeografikë në gjuhën ma të zakonshme të botës, kodin binar.

Telekomunikacioni, kur kombinohet me kapitalin dhe teknologjinë celulare, “shihen si linja hapësinore që zhdukën”.

Kështu që tue zbehë gjeopolitikën, Korporatat kanë mbushë këtë vakum pushteti tue shtri ndikimin ekonomik aq të gjânë e të fellë sa që, për Garrett, disa nga detyrat e kombeve sovrane kanë ra nën kujdesin e tyre.

Korporatat po e rrisin fuqinë e ndikimin aq sa edhe ngjashmënitë e tyne me shtetet sovrane. Ndërsa shteti-komb âdht lavdue para kohe, studiuesit po shkruejnë për privatizimin e qeverisjes dhe tregtisë e marrëdhëniet ndërkombëtare pra ato midis kombeve po tejkalohen tue ua zânë vènin aktorët privatë. Garrett e ilustron këtë hap me faktin se koncepti i kombeve që veprojnë si entitete private âsht njoftë në Aktin e Imuniteteve të Sovranëve të Huaj, tue zbehë e mjegullu dallimin ndërmjet korporatave dhe shtetit, jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe brenda vendit, masi korporatat po veprojnë në ngjashmëni me shtetet kombëtare.

3.
Derisa BE si nji tigër prej letre, pa mujtë me bâ nji rresht unik ushtarak, kqyrë televizor e frymëzohet nga nji komedian ukrainas që e ka ndërtu nji koncept të gabuem si t’i kishte dikush nji borxh moral e të cilit liderët europeanë ia rrehin krahët, tu i majtë shpnesa mos po e tërheqin ShBA në luftë direkte me rus!?

Porse Trump e bani të qartë: Nuk lejojmë bixhoz me Luftën e Tretë Botnore!?
S’ka asgjâ gratis!

A po doni marrëveshje?
Ulne bishtin nënshkrueni!

“E gjithë jeta jème âsht marrëveshje”, tha Trump më 24 shkurt, 2025 mas bisedimeve për Ukrainën me presidentin francez Emmanuel Macron, simas “The economist”.

4.
Kjo botë âsht e padrejtë.

Sidomos për fatet e kombeve të vogla.

Dhe tash jemi të lurë të çelim librin e Morgentau me lexu: Shtetet e vogla ia dedikojnë pavarësinë ekuilibrit të fuqisë mes shteteve të mëdha. Jashtë ktyne ekuilibrave, nji prototip trumpist as që ia di se ekzistojnë!?

Baraspeshën e kësaj bote shtetesh dhe marrdhaniesh të egjra diplomatike nuk e mbajnë vlerat morale por fuqia!

Shtetet nuk kanë ndergjegje, por interesa.

May be an image of text