Lajme

Njëzet vjet burgim për vrasjen e vitit të kaluar në Dobërçan të Gjilanit

12/17/2024 17:30
nga:G B

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj personit D.T. për vrasjen e ndodhur në Dobërçan të Gjilanit, vitin e kaluar.

Ai është dënuar me 20 vite burgim.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se i akuzuari më 16 dhjetor të vitit 2023 në fshatin Dobërçan të komunës së Gjilanit e ka privuar nga jeta me dashje viktimën A.B..

“Me datë 16.12.2023, rreth orës 20:35 minuta, në fshatin Dobërçan Komuna e Gjilanit, i akuzuari D. T., me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B., në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari përmes telefonit e thërret A. i cili me automjetin e markës Golf IV, vjen te rruga ku ishte duke e pritur i akuzuari, i cili hyp në karrigen e parë të automjetit dhe me automjet kishin lëvizur deri afër ordinancës private “Dr. A.”. Aty pas një mosmarrëveshje verbale në automjet, i akuzuari e sulmon me thikë të ndjerin A. njëherë në trup, ndërsa viktima arrin ta ndal automjetin dhe të del nga automjeti duke ikur për t’iu shmangur të akuzuarit, hyn në oborrin e shtëpisë së Xh. B., ashtu që i akuzuari i vihet pas një ndjekje dhe në terasë para derës së hyrjes së kësaj shtëpie, përsëri e godet edhe gjashtë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa nga kacafytja dhe zhurma e krijuar, nga kjo shtëpi del Xh. B.,intervenon për të i ndarë, e kap për trupi të pandehurin dhe e largon nga vendi i ngjarjes, ndërsa tani të ndjerin A. e dërgon në ordinancën private “Dr. A””.

“Aty nga doktori i jepet ndihma e parë mjekësore dhe njëkohësisht mjeku e thërret ndihmën e shpejtë, ndërsa për shkak të lëndimeve të pësuara, tani të ndjerin e hypin në një automjet tjetër deri te rruga e Përplenicës, aty takohen dhe e dorëzojnë A. në automjetin e ndihmës së shpejtë dhe të njëjtën e transportojnë në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilani, ku tani i ndjeri A. për shkak të lëndimeve të pësuara nuk ka mundur të mbijetojë dhe në hyrje të spitalit i njëjti ndërron jetë, ku edhe konstatohet vdekja”, ka thënë Gjykata e Gjilanit.

Me këto veprime, i pandehuri thuhet se ka kryer veprën penale “vrasje”.

Trupi gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar dënim ndaj të akuzuarit D. T. në kohëzgjatje prej njëzet (20) vjet burgim.