Lajme

Njëherë shqip e më pas serbisht, Kurti fton serbët e Kosovës t’i shndërrojnë targat nga “KM” në “RKS”, flet edhe për lajmet e rreme

08/10/2022 10:35
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me 1 shtator do të nis zbatimi i reciprocitetit, për targat dhe mjetet e udhëtimit për shtetas serb që hyjnë në Kosovë, raporton Gazeta Blic.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se fushata për targat do të vazhdojë edhe pas 1 shtatorit, kur dhe do të fillojë zbatimi i reciprocitetit.

Ai hodhi poshtë lajmet se do t’u konfiskohen dokumentet e Serbisë, serbëve që futen në Kosovë, derisa bëri thirrje për të mos rënë pre e dezinformimit.

“Kam dëgjuar për lajmin e rremë se ID-të do të konfiskohen në veri në këmbim për dokumentin për hyrje – dalje. Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti është shtesë që jepet pa pagesë. Ju bëjë thirrje që të përcjellni me vëmendje njoftimet nga Qeveria e jonë dhe organet bartëse. Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart. Ato as nuk përfaqësojnë juve qytetarë tanë e as nuk ju mbrojnë ju, kurse në anën tjetër Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë edhe përbëhen nga qytetarë tanë pa dallim edhe janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”, tha Kurti.

Kurti tha se lajmet e rreme e rrezikojnë sigurinë kombëtare.

Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që t’i shndërrojnë targat e veturave nga “KM” në “RKS”.