Lajme

Një vit nga sulmi terrorist i Banjskës/ Eksperti i sigurisë: Kosova ka mundur të fitojë më shumë nga ky rast

09/23/2024 22:04
nga:G B

Nesër (24 shtator) bëhet një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se situata e sigurisë në veri vazhdon të jetë e brishtë dhe pas atij sulmi ka pasur mobilizim ndërkombëtar.

“Situata e sigurisë në vend (pjesën veriore) është e brishtë por e monitorueshme nga mekanizmat e sigurisë vendore dhe ndërkombëtar. Pas shtatorit të 2023, pati një sensibilizim të theksuar nga akterët relevant për situatën e krijuar por edhe mangësitë që ishin evidente nga dështimi i mbrojtjes së misionit ndërkombëtar të sigurisë (KFOR) që ka sigurinë e brezit kufitar në baze të 1244”, shprehet ai.

Shala vlerëson se pas sulmit terrorist Serbia ka tentuar ta pastrojë përgjegjësinë e saj.

“Pas ngjarjeve që ka ndodhur në sulmin terrorist edhe në shtetin e Serbisë ka bërë disa lëvizje duke “pastruar” përgjegjësinë e saj në involvim por duke ri-grupuar elementet nacionaliste kriminale rreth boshtit të kishës ortodokse serbe për krijimin e botës serbe dhe që ky veprim të jetësohet në vendet ku politika e Serbisë ka influencim duke përfshirë edhe Kosovën. Ky grup prej 500 personave që nga java e fundit e gushtit 2024 nuk kanë më relevancë dhe efekt në terren sepse janë vizatuar konturat gjeostrategjike e politike të ardhur nga drejtori i CIA në vizitën e tij në Kosovë”, potencon ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, s’mund të ndodhë më një sulm si ai i Banjskës.

“Pra, Banjska të dytë në këto rrethana nuk ka mundësi të realizohet sepse kushtet gjeopolitike nuk janë sikur para javës së fundit të gushtit 2024. Radojeçiqi do të pret mundësinë në rast se nuk ka ndonjë presion për të mbyllur kapitullin e tij nga faktori ndërkombëtar për të kushtëzuar rrugën e Serbisë në forma të ndryshme e ai të sillet para drejtësisë së Kosovës”, thekson Shala.

Ai shton se “Kosova ka mund të fitojë më shumë nga ky element dhe me kapitalizu në fushën diplomatike ndërsa në aspektin e brendshëm është arritur një favor i rëndësishëm për shtrirje të autoritetit në veri”./Gazeta Blic/

Një vit nga sulmi në Banjskë, Sveçla: Donin aneksimin e veriut, grupi terrorist u mbështet nga Beogradi