Lajme

Një vit nga qeverisja e Kurtit, Gërxhaliu: Janë lënë në hije problemet ekonomike

03/23/2022 08:18
nga:Genita C

Më 22 mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar qeverinë e re, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu qeverisja e kryeministrit Kurti ishte dominuar nga agjenda politike, duke lënë në hije problemet ekonomike të grumbulluara deri më tani.

“Duhet të kuptohet se vetë themelimi i Qeverisë Kurti, nuk ka qenë shkop magjik që t’i zgjidhë problemet e grumbulluara nga e kaluara. I tërë viti ka qenë i dominuar prej agjendës politike dhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka kaluar nën hijen e COVID-19 dhe pandemisë ekonomike po ashtu konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës”, tha Gërxhaliu për Telegrafin.

Ai ka shtuar se diplomacia ekonomike ka qenë dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe se qytetarët nuk e kanë përjetuar rritjen e nevojshme ekonomike.
“Rritja ekonomike është ajo që duhet të shijohet nga qytetarët e që kam frikën se nuk ka ndodhur. Diplomacia ekonomike ka qenë dështimi më i madh. Qeveria duhet të fokusohet në përgatitjen e rezervave në interes të qytetarëve në rend të dytë duhet të kemi një strategji se çka do të bëjmë nesër. Simptomat janë vërtetë shqetësuese mirëpo nuk duhet të kemi panik dhe duhet të kemi më tepër fleksibilitet”, deklaroi ai.

Sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Qeveria duhet që fokusin kryesor ta drejtojë nga fuqizimi urgjentë i fermerëve, ku sipas tij është mënyra më e mirë për t’u mos u varur nga importi.

“Nga paniku përfitojnë vetëm ekonomitë spekulative dhe tregtarët. Ajo që duhet të jetë prioritet nga qeveria është që fermerët kosovar të kenë mbështetje urgjente që toka e papunuar në kultura pranverore në këtë vit të jetë e vërshuar, vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë ushqim”, ka theksuar Gërxhaliu.