Lajme

Një vit nga Ohri/ Analistët skeptikë për zbatimin e marrëveshjes: “Kurti do ta shtyjë Asociacionin kah fundi i mandatit”

03/18/2024 14:31
nga:G B

Me 18 mars 2023 në Ohër u nënshkrua marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

E, sot, një vit pas, BE ka shprehur zhgënjimin për mos zbatim të kësaj marrëveshje.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do të vazhdojnë presionin mbi Kosovën e Serbinë, që kjo marrëveshje të zbatohet.

Lidhur me këtë, analistët kanë folur për Gazeta Blic.

Njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi, thotë se Kurti duke qenë ekspert i manipulimit me turmat, do ta shtyjë zbatimin e marrëveshjes kah fundi i mandatit dhe do ta shesë Asociacionin si “tradhti nga regjimi i kaluar”.

“Albin Kurti, duke qenë ekspert i manipulimit me turmat do ta shtyjë zbatimin e Marrëveshjes deri kah fundi i mandatit. Kur të nisë zbatimin ai do ta shesë Asociacionin si “tradhti nga regjimi i kaluar” për ta fituar edhe një mandat qeverisës”, thotë ai për Gazeta Blic.

Sipas Matoshit, Kurti mund të krijojë ndonjë krizë të re për ta zbatuar marrëveshjen në mandatin tjetër, por që do ta zbatojë atë marrëveshje.

“Mund të krijojë ndonjë krizë të re me të cilën do ta shtyjë zbatimin për mandatin tjetër, por në thelb Kurti do ta zbatojë Marrëveshjen herëdokur. Nuk ka qare!?”, deklaron analisti Halil Matoshi.

Kurse, analisti politik Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se zbatimi i marrëveshjes s’ka nisur për arsye politike por që tregon dhe mungesën e potencialit të SHBA-ve dhe BE-së që t’i bindin palët ta bëjnë atë.

“Po faktikisht edhe pas 1 viti të arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, palët në mosmarrëveshje Kosova dhe Serbia nuk kanë filluar implementimin e saj për arsye politike, natyrisht që kjo shpërfaq edhe jo potencial politik nga ana e BE-së dhe SHBA-ve, që palët t’i bindin për krijimin asociacionit te komunave serbe, si dhe Serbinë që të detyrojë ta pranojë sovranitetin e Kosovës në tërë territorin saj”, shprehet ai.

Sadiku dyshon se mund të ketë zbatim të marrëveshjes, derisa thotë se Asociacioni si pikë kryesore mund të nisë zbatimin vitin e ardhshëm.

“Dyshoj shumë se pika kryesore e saj Asociacioni i komunave serbe do të fillojë së zbatuari deri në vitin tjetër, pasi që të kemi një Qeveri te re të dalë pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se kjo marrëveshje ishe një pako e zgjidhjes së raporteve Kosovë-Serbi.

“Marrëveshja e Ohrit ishte një pako e zgjidhjes në gjysmë të raporteve në mes të dy vendeve, Serbia fitonte sigurt Asociacionin dhe kujdesin e Kishës serbe në Kosovë dhe sigurinë e pronësisë kishtare dhe mbrojtjen e pakusht të objekteve fetare, përderisa serbët politikisht fitonin identitet të veçantë politik përmes Asociacionit, Kosova konkretisht kishte humbur plotësisht njohjen reciproke me Serbinë, Serbia nuk e njohu asnjë element të shtetësisë e as anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, shprehet ai.

Burjani thotë se Serbia ishte kundër marrëveshjes edhe pse tha se e pranoi por nuk e nënshkroi, ndërsa që tani Kosova i është nënshtruar një presioni të paparë.

“Serbia ishte e qartë që nuk e pranon asnjëherë këtë marrëveshje Kosova gojarisht tha po, por kushtëzoi me nënshkrimin e Serbisë, e kjo nuk do të ndodhë asnjëherë nënshkrimi kapitullimit të dytë të Serbisë, tash Kosova i është e nënshtruar një presioni të paparë ndërkombëtar që është palë e dobët dhe e shkretë politikisht, më së lehti është të detyrohet Kosova, Serbia është plotësisht komode, i largoi serbët nga institucionet lokale, organizoi sulmin në Banjskë, organizoi protesta me Listën Serbe”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.

Ai thekson se gjasat janë të vogla që marrëveshja të zbatohet.

“Normal që kjo marrëveshje do të kërkohet për t’u zbatuar, gjasat janë të vogla, kjo është destinuar të dështojë në atë mënyrë se si është shkruar. Disa pjesë do të zbatohen e shumica jo, një pjesë e mëhershme e marrëveshjeve do të zbatohen që janë mbi 33 marrëveshje”, përfundon analisti Blerim Burjani./Gazeta Blic/

Borrelli i zhgënjyer në njëvjetorin e Ohrit: Do t’i bëjmë presion Kosovës dhe Serbisë

Rama: Zbatimi i Marrëveshjes Kosovë – Serbi, i rëndësishëm për sigurinë e paqen në Ballkan