Lajme

Një tjetër vit plot suksese për Coca-Cola HBC Kosova në fuqizimin e të rinjve: Grupi i ri prej 700 të rinjve të talentuar fituan shkathtësi për karrierat e tyre të ardhshme

12/30/2024 14:30
nga:G C

Coca-Cola HBC Kosova vazhdon të ketë ndikim të thellë tek gjenerata e re përmes programit të trajnimit “Fuqizimi i të Rinjve”, në bashkëpunim me Theta Interactive, dhe i dizajnuar për t’i pajisur të rinjtë në mbarë Kosovën me shkathtësi të buta esenciale, njohuri biznesi dhe ekspertizë teknologjike.

Këtë vit, programi ka arritur rezultate të reja, duke trajnuar 735 pjesëmarrës të moshës 16-25 vjeç në qytete të ndryshme, si Prishtinën, Ferizajn, Fushë Kosovën, Kamenicën dhe Hanin e Elezit.

Programi, synimi i të cilit është adresimi i nevojës kritike për zhvillim të shkathtësive tek të rinjtë, ka ofruar trajnime, punëtori dhe sesione mentorimi të mbajtura nga ekspertë të industrisë.

Këto sesione janë përqendruar në fusha kyçe si zhvillimi personal, të menduarit ndërmarrës dhe edukimi digjital— shkathtësi që janë të domosdoshme në tregun e sotëm konkurrues të punës.

Lulzim Bucolli, një trajner i specializuar për shkathtësi të biznesit, ndau përvojën e tij: “Fuqizimi i të rinjve me ekspertizë biznesi është më shumë sesa thjesht t’ua mësosh si menaxhohet një ndërmarrje — qëllimi i kësaj është që ushqehet besimi i tyre për inovacion, udhëheqje dhe krijim të mundësive për veten dhe të tjerët”.

Pjesëmarrës si Anyla, një e diplomuar së fundi, shprehën ndikimin transformues të programit: “Ky program më dha besimin dhe mjetet për ide origjinale dhe për të filluar t’i punoj idetë e mia të biznesit. Tani i shoh sfidat si mundësi për t’u rritur”.

Frosina Islami, Menaxhere për Komunikim të Korporatës në Coca-Cola HBC Kosova, theksoi përkushtimin e kompanisë për fuqizimin e rinisë: “Ne besojmë në potencialin e të rinjve për të formësuar të ardhmen e Kosovës. Nëpërmjet Programit Fuqizimi i të Rinjve, ne synojmë t’i frymëzojmë, t’i udhëzojmë dhe t’i pajisim me shkathtësitë që u nevojiten për t’i kthyer ambiciet e tyre në realitet”.

Teksa viti po mbyllet, Coca-Cola HBC Kosova kremton edhe një tjetër moment historik në rrugëtimin e vet për fuqizimin e rinisë. Duke trajnuar mbi 700 talente të rinj vetëm këtë vit, programi ka forcuar rolin e vet si katalizator i ndryshimeve pozitive, duke rritur një gjeneratë të gatshme për të udhëhequr dhe për të pasur sukses.

Kompania mbetet e përkushtuar për ta vazhduar këtë iniciativë të rëndësishme, duke siguruar që më shumë të rinj në mbarë Kosovën të kenë qasje në mjetet dhe njohuritë që u nevojiten për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për veten dhe komunitetet e tyre.

Ky shënon vitin e 7-të të Programit Fuqizimi i të Rinjve, gjatë të cilit mbi 5,000 të rinj kanë marrë pjesë dhe kanë përfituar nga trajnimet në fusha esenciale si shkathtësitë e buta, marketingu, biznesi, menaxhimi dhe teknologjia, duke e forcuar më tej përkushtimin e Coca-Cola HBC Kosova për fuqizimin e gjeneratës së ardhshme.
Programi në Kosovë është pjesë e strategjisë më të gjerë të Coca-Cola HBC, e cila synon të fuqizojë 1 milion të rinj deri në vitin 2025 në 29 vendet ku operon, si pjesë e zotimeve të veta për Qëndrueshmërinë 2025.

Për më shumë informata rreth programit, ju lutem vizitoni ueb faqen zyrtare të projektit: https://www.coca-colaperkrahrinine.com/