Një tragjedi ndodhi në Izrael.
45 persona humbën jetën në një festival fetar në shpatet e malit Meron.
Mes viktimave kishte edhe fëmijë. Dëshmitarët thanë se panë një piramidë njerëzish që u asfiksuan ose u shkelën në një rrugë që ishte vetëm 10 metra e gjerë në eventin e mbushur plot me njerëz në Galile.
Dhjetëra-mijëra hebrenj ultraortodoksë u mblodhën natën e së enjtes në malin Meron për të festuar Lag BaOmer, një festë hebreje që nderon Rabbin Shimon Bar Yochai, një mistik i shekullit të 2-të i cili është varrosur atje.
Në disa video të shpërndara në internet shihen njerëzit që përpiqen të largohen nga kaosi, përmes rrugës së ngushtë.
Njerëzit filluan të bien njëri mbi tjetrin afër fundit të vendkalimit, ndërsa zbrisnin shkallët e rrëshqitshme prej metali.
Në vendngjarje mbërritën dhjetëra ambulanca ndërkohë që të plagosurit rëndë u dërguan me helikopterë në spital. Ushtria u shpreh se trupat e kërkim-shpëtimit ishin vendosur gjithashtu në vendin ku zhvillohej festivali.
Mjekët thonë se të plagosurit dhe viktimat ishin të seksit mashkull.
Policia u kërkoi familjarëve të atyre që ende janë të zhdukur të sigurojnë fotografi dhe informacione personale për të ndihmuar në procesin e identifikimit.