Lajme

Një muaj paraburgim për dorasin e vrasjes së rëndë në Klinë

06/18/2021 19:19
nga:M K

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.D, i cili dyshohet për vrasjen e 26-vjeçarit Valentin Balaj.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një komunikate për medie, nga Gjykata Themelore në Pejë, ku po ashtu japin detaje.

“Me datë 16.06.2021, rreth orës 21:00, privon nga jeta personin tjetër dhe me dashje vë në rrezik jetën e personave tjerë, në atë mënyrë që, pas një konflikti verbal në mes të pandehurit dhe viktimës V.B, që kishte pasuar si rrjedhojë e një mosmarrëveshje të mëhershme mes tyre, i pandehuri nga brezi nxjerr revolen dhe me të njëjtën shtie në drejtim të viktimës, e i cili në momentin kritik ishte pothuajse ngjitur me vëllain e tij, ashtu që më pas i pandehuri me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes dhe dorëzohet pranë Stacionit Policor”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, aty thuhet se “viktima dërgohet për tretman mjekësor në QKUK – Prishtinë, ku edhe pas pak çastesh gjen vdekjen”.

“Me këto veprime i pandehuri F.D kishte për të kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 pika 1.5 të KPRK-së dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, par. 1, të KPRK-së”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas komunikatës, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se kjo çështje penale është në fazën hetimor edhe pritet të dëgjohen dëshmitarët andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikoj te të njëjtit, me qëllim të zvogëlimit të përgjegjësisë së tij penale e me këtë të pengoj rrjedhë normale të procedurës penale.

“Gjithashtu, gjykata duke e pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre dhe se raportet në mes të familjeve janë të acaruara, vlerëson se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri mund të vie deri te kryerja e ndonjë vepre të re penale andaj, mbi këto baza caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm”, sqaron Gjykata.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.