Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj H.R, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me të miturit U.Z dhe H.Z, kanë vjedhur disa xhami në Rahovec.
Prokurori Kastriot Memaj, ka deklaruar se ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri H.R, së bashku me të miturit më 11 dhjetor 2021, rreth orës 01:45 e deri më 4:40 në Rahovec, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për tjetrin kanë kryer veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 165 të KPP, për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehur ka kryer veprën penale dhe i njëjti mund ta përsërisë atë vepër, të arratiset apo të ndikojë në dëshmitarë.
Sipas tij, prokuroria i ka vlerësuar të gjitha masat e tjera të parapara me nenin 173 të KPPRK-së, mirëpo në rastin konkret nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në procedurë.
Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Rasim Behluli e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë duke shtuar se masa e propozuar nga prokuroria është e rendë.
I njëjti propozoi që për të pandehurin të caktohet një masë më e butë, siç është masa e paraqitjes së të pandehurit në stacionin policor.
Më pas, i akuzuari H.R, deklaroi se e mbështet fjalën e mbrojtësit të tij.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Ilir Rashkaj, pas deklarimit të palëve, ka marrë vendimin mbi caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke cekur se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit konform dispozitave të nenit 165 të KPPK-së.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 11 janar 2022 ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit H.R, me arsyetimin se në bashkëkryerje me të miturit U.Z dhe H.Z më 11 dhjetor 2020, në Rahovec, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për tjetrin kryen veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”.
Sipas kërkesës së prokurorisë më 11 dhjetor 2020, në rrugën “Bekim Sylka” në Rahovec, saktësisht në objektin fetar- xhami, i pandehuri në bashkëveprim me dy të miturit U.Z dhe H.Z, me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme të pasurisë së huaj për vete, ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Amir Sylka , imam në Bashkësisë Islame, dega në Rahovec, në atë mënyrë që të pandehurit të maskuar e duke shfrytëzuar orët e vona dhe mosprezencën e askujt shkojnë në objektin fetar- xhami, ku fillimisht i mituri U.Z , depërton brenda në xhami përmes pjesës anësorë të murit dhe nga brendësia hapë një dritare.
Më pas thuhet se aty depërtojnë edhe i mituri H.Z dhe i pandehuri H.R , dhe me një kaçavidë e me forcë i nxjerrin nga vendi dy kasaforta dhe nga aty arrin të marrin dy kasafortat me paratë e mbledhura për ndihma, me një shumë të hollash në vlerë prej 45 euro, të cilat para i ndajnë në tri pjesë dhe atë nga 15 euro për secilin e më pas largohen në drejtim të panjohur.
Me këtë rast, të dëmtuarës i shkaktojnë dëm material në vlerë 45 euro.
Tutje në kërkesën e prokurorisë thuhet se në datën e njëjtë , në ora 02:38 minuta, në rrugën “Sheh Mejdini” në Rahovec, saktësisht në objektin fetar- xhamia në qendër, i pandehuri në bashkëveprim me dy të miturit U.Z dhe H.Z, me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme të pasurisë së huaj për vete, ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Shani Sylka- Imam në Bashkësinë Islame, dega në Rahovec.
Sipas prokurorisë, të pandehurit të maskuar e duke shfrytëzuar orët e vona dhe mosprezencën e askujt shkojnë në objektin fetar- xhami, ku fillimisht i mituri H.Z dhe i pandehuri H.R, qëndrojnë jashtë objektit duke bërë roje, ndërsa i mituri U.Z, përmes katit përdhesë të bodrumit i hapë dyert e objektit të xhamisë dhe depërton brenda, ku nga aty arrin të marrë dy orë të dorës dhe një kasafortë të vogël me një shumë të hollash, të cilat para i ndajnë në tri pjesë dhe më pas largohen në drejtim të panjohur, me ç’rast të dëmtuarës i shkaktojnë dëm material.
Me çka, dyshohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” në vazhdimësi nga neni 315, par.2 nënpar.2.2 lidhur me par.1 nën par.1.1 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së .
Po ashtu, me datë të njëjtë, në rrugën “Selajdin Mullaabazi” në Rahovec, saktësisht në objektin fetar- xhami, i pandehuri në bashkëveprim me dy të miturit U.Z dhe H.Z, me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme të pasurisë së huaj për vete, tentojnë t’ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Adnan Pallqa- Imam në Bashkësinë Islame, dega në Rahovec.
Kjo sipas prokurorisë, në atë mënyrë që të pandehurit të maskuar e duke shfrytëzuar orët e vona dhe mosprezencën e askujt shkojnë në objektin fetar- xhami, ku fillimisht i mituri H.Z dhe i pandehuri H.R, qëndrojnë jashtë objektit duke bërë roje, ndërsa i mituri U.Z, me një kaçavidë e me forcë e hapë dritaren e xhamisë duke depërtuar brenda dhe pas demolimit nga aty nuk arrin të marrin ndonjë gjë me vlerë, e më pas largohen në drejtim të panjohur.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë” nga neni 315, par.2 nënpar.2.2 lidhur me par.1 nën par.1.1 e lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.


