Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit në kohëzgjatje për një muaji për të dyshuarin për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, gjatë protestave në maj të vitit 2023 në Zveçan.
Përmes një njoftimit për media, Themelorja ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale lidhur me caktimin e paraburgimit për të pandehurin S.R.
Gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale duke qenë se ka nënshtetësi të shtetit të Serbisë dhe në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë.
S.R. dyshohet se me datë 29.05.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjetë) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe.


