Është caktuar masa e paraburgim ndaj të dyshuarit me iniciale R.B. për posedim të substancave narkotike.
Sipas komunikatës, Gjykata Themelore ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 16.01.2022, rreth orës 08:00 minuta, në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës, i pandehuri së bashku me të dyshuarin N. N., pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike të llojit marihuanë. Të njëjtit nuk i binden urdhrave të patrullës policore dhe ikin me shpejtësi, ashtu që gjatë ndjekjes së veturës nga ana e zyrtarëve policor, arrijnë të ndalojnë veturën dhe të arrestojnë të pandehurin R. B., ndërsa i dyshuari N. N. arrit të largohet nga vendi, por gjatë ndjekjes i njëjti e hedh çantën me substancë narkotike, duke ikur në drejtim të panjohur. Me këtë rast janë gjetur dhe konfiskuar 5 kg e 185 gram marihuanë dhe një shumë të hollave 925 Euro”, thuhet në komunikatë.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa i dyshuari N.N. vazhdon të jetë në arrati.
“Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, pasi që po të gjendet në liri mund të i ikë ndjekjes penale”, thuhet më tej në komunikatë.
Shqiptohen 353 gjoba për qytetarët që nuk respektuan masat antiCOVID-19


