Lajme

Një muaj paraburgim ndaj Miodrag Gjorgjeviqit që dyshohet se vrau shqiptarë në Zhazhë

05/16/2025 17:47
nga:Y I

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj Miodrag Gjorgjeviqit, i cili akuzohet se në vitin 1999 në Zhazhë të Zveçanit, kishte kryer krime lufte ndaj popullatës civile.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.04.1999 forcat serbe kishin ndërmarr një ofensivë në fshatin Zhazhë, komuna e Zveçanit, fshat ky i banuar me popullsi shqiptare, ku përveç djegies dhe plaçkitjes së shtëpive, ishin vrarë tre banorë shqiptare brenda fshatit dhe shtatë të tjerë ishin rrëmbyer, të cilët më vonë ishin gjendur në varrezat e fshatit Suhodoll në Mitrovicë, ndërsa sipas dëshmitarëve, i pandehuri M.D. në atë kohë, ka qenë komandant i stacionit policor në Zveçan”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ndër tjera, shtohet se gjykata vlerëson se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

“Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nëse gjendet në liri, mund të arratiset dhe në këtë mënyrë të pengojë rrjedhën me sukses të procedurës penale. Ky dyshim, vërtetohet duke marrë parasysh edhe faktin se përveç shtetësisë së Kosovës, i pandehuri e ka edhe shtetësinë e Serbisë dhe mund të largohet për në Serbi”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Klan Kosova ka raportuar dje për rastin në fjalë ku kanë folur familjarët kosovarë të viktimave që u vranë nga Miodrag Gjorgjeviqi.

Nga operacion i organizuar prej strukturave serbe në fshatin Zhazhë në vitin 1999, përfshirë ushtrinë jugosllave e policinë e tyre, u vranë shtatë civilë, trupat e të cilëve u gjetën pas përfundimit të luftës në varrezat e fshatit Suhodoll.