Lajme

Një mësimdhënës nuk guxon të justifikojë ngacmimin e tij seksual në drejtim të nxënëses së tij, flet sociologia

03/29/2024 12:34
nga:N K

Sociologia, Flakë Ymeri në një prononcim për GazetaBlic, ka folur lidhur me ngacmimet seksuale në shkolla në Kosovë dhe trajtimin e viktimave të prekura.

Lidhur me ndikimin e rasteve të ngacmimeve seksuale në shkolla Ymeri tha se këto raste ndikojnë në zhvillimin e vajzave në shkollim.

“Sigurisht që rastet e ngacmimeve në shkollë ndikojnë jashtëzakonisht tek gratë në mënyrë që ndalon zhvillimin e intelektit dhe avansimit të tyre si pjesë e shoqërisë, ku pasojat e mos shkollimit të grave, vajzave në përgjithësi dihen pas 20 vitesh sepse ne e dimë që ne aspektin trans-kulturor dhe normave shoqërore është roli gruas në shoqëri është i rëndësishëm”, tha ajo.

Sociologia deklaroi se organet kompetente janë duke ndërmarrë masa ndaj këtyre personave që bëjnë ngacmime seksuale.

“Në bazë të shqiptimit të dënimeve që mund të bëhen për ngacmuesit seksual, atëherë ne mund të themi me kompetencë të plotë që këto raste po trajtohen seriozisht dhe këto janë masa janë shqiptuar  si marrja e licensës si mësimdhënës, qoftë dënime tjera të marrura apo edhe alternativa tjera”, dekaroi ajo për GazetaBlic.

Ymeri adreson tek organet përgjegjëse të trajtojnë me seriozitet rastet e ngacmimeve seksuale në shkolla.

“Unë mendoj se këto raste duhet të trajtohen shumë seriozisht sepse kemi të bëjmë me një të ardhme shumë themelore të këtyre grave dhe vajzave, ku nuk guxon askush të mohoj e aq më pak bie pre e ngacmimeve apo dhunimeve seksuale nga mësimdhënësit e tyre”, tha tutje Ymeri.

Faktorët që mund të ndikojnë në një ngacmim seksual nga mësimdhënësit në Kosovë sipas sociologes mund të jenë të ndryshme.

“Faktorët që mund të jenë të shfaqur në fillimin e ngacmimeve seksuale mund të jenë siç janë problemet e tyre personale dhe qëllimeve të personalitetit. Nëse mundohen të justifikohen sepse shpesh herë po ndihen të provokuar në aspektin profesional dhe moral nuk guxon të ndodhë që një mësimdhënës të justifikojë ngacmimin e tij seksual në drejtim të nxënëses së tij duke thënë që po ndihet i provokuar”, theksoi ajo.

Ymeri tutje ka përmendur mungesën e edukimit seksual në shkollimin fillor ku sipas saj nxënësit nuk kanë njohuri lidhur me ngacmimet seksuale.

“Nëpër shkolla fillore ku ne e dimë që lënda e edukimit seksual ende nuk ka hyrë si lëndë mësimore, përderisa një fëmijë nuk është në njohuri për këtë degë të edukimit seksual atëherë ose është në moshë shumë të re ose nuk i ka ardhur radha të mësojë diçka në këtë drejtim”, tha ajo.

Sociologia apelon tek vajzat e ngacmuara seksualisht të mirren me shëndetin e tyre mendor, sepse sipas saj nëse ato trauma nuk janë të zgjidhshme do të kenë probleme të jashtëzakonshme.

“Ngacmimet seksuale dhe dhunimet seksuale shpesh herë janë dëme të pariparuara edhe janë shumë të kushtueshme pastaj kemi të bëjmë me shëndetin mendor të një gruaje, nëse një femër  nuk do e trajtojë këtë do ta përcjell gjatë gjithë jetës edhe sigurisht traumat e pa trajtuara dhe të pa zgjidhura do të krijojnë probleme shumë të mëdha në zhvillim e saj”, tha tutje ajo.

Rritjen e vetëdijësimit për trajtime tek psikologu pas ngacmimeve seksuale Ymeri po e cilëson pozitive ndërsa ajo gjithashtu përmendi edhe rëndësinë e qasjes së gruas në shoqëri.

“Unë shoh një rritje të vetëdijësimit dhe shtimit të personave të sulmeve dhe dhunime seksuale që tashmë po gjejnë trajtim dhe po kërkojnë ndihmë nga psikologët. Një grua në të ardhmen do të ketë një familje që është e rëndësishme ajo të jetë në nivelin e duhur të edukimit dhe arsimimit sepse ajo është mësuesja e parë e fëmijëve të saj dhe mos të jetë ngacmimi seksualë pengesë që femrat të mos shkollohen”, përfundoi Ymeri.

/GazetaBlic/