Lajme

Një “mal” keqpërdorimesh në MPDJ, Shoqata Sindikale letër Gërvallës – ka këto kërkesa

08/24/2022 10:53
nga:G B

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, i ka dërguar shkresë informuese ministres së MPDJ-së, Donika Gërvalla, për rrjedhat në MPJ dhe sfidat nëpër të cilat po kalon Sindikata.

Gazeta Blic ka siguruar shkresën e Shoqatës drejtuar Gërvallës, përmes së cilës ka shprehur shqetësimin për diplomatët e karrierës të Shërbimit të Jashtëm, derisa thotë se ky shërbim po degradohet.

Sipas Shoqatës, shqetësimet pikënisjen e kanë në sistemimin e zyrtarëve të ish-Ministrisë së Diasporës në MPJ, pozita si ajo e Sekretarit të Përgjithshëm, Udhëheqësi i Zyrës së Personelit, etj., gjë që thonë se është e kundërligjshme dhe jashtë çdo kriteri legjislativ dhe logjikës së funksionimit të digasterit të punëve të jashtme.

Në këtë shkresë thuhet se kësaj dukurie e ka paraprirë formimi i komisionit për sistemimin e zyrtarëve të MPDJ, të cilët nuk e kanë përfillur parimin e ligjshmërisë dhe transparencës, duke vepruar për interesa personale dhe të klanit të instaluar në këtë ministri.

Shoqata ka theksuar po ashtu se kur zhvillohen procese të rëndësishëm për Zyrtarët e Jashtëm dhe të MPDJ-së, çdo gjë kalon në heshtje administrative, nuk ka informacione.

Më tej, përmendet se Komisioni për Sistematizim nuk ka pasur fare transparencë dhe më pas këto grupe kanë hartuar një rregullore, “dokument” i cili është vetëm në shërbim të interesave të tyre dhe nuk është në pajtim me ligjin për Zyrtarët e Jashtëm.

Shoqata po ashtu cek që mos përvoja e këtij grupi ka bërë që të ketë mungesë të stafit diplomatik e konkursi i hapur në shkurt nuk është mbyllur asnjëherë.

Po ashtu, në shkresë thuhet se ky grup në ministri ka penguar edhe punën e sindikalistëve, ku anëtarë të Shoqatës janë transferuar në pozita të punës pa dëshirën e tyre.

Për të gjitha këto veprime të jashtëligjshme siç thotë Shoqata, ajo do t’i ndjek rrugët ligjore përmes institucioneve përkatëse dhe po ashtu do të bashkëpunojë me qendrën Sindikale të BSPK-së në Kosovë, si dhe asaj në Bruksel.

“Ajo që duam të theksojmë është se për dallim nga pararendësit tuaj, Shoqata Sindikale nuk është injoruar në këtë masë dhe në këtë mënyrë, dhe nuk është luftuar me kaq zell sikurse tani”, thuhet ndër të tjera në këtë shkresë.

Ata i kanë thënë ministres Gërvalla se janë joligjore konkurset e ndryshme që janë hapur, e po ashtu i kanë thënë e me marrjen në dorë të ligjit dhe shkarkimit të ambasadorëve e paralajmërimit për shkarkime të tjera, ka vepruar në mënyrë arbitrare.

Shqetësimin e kanë shprehur edhe për emërimin e konsujve të rinj dhe anëtarë të stafit diplomatik, për të cilët qeveria kishte thënë se nuk do të ketë emërime të reja.

Shoqata Sindikale i është drejtuar ministres Gërvalla me disa kërkesa:

Anulimin e konkurseve të pabazuara ligjërisht dhe të paplanifikuara me nevojat e MPDJ-së, të shfuqizohen me të gjitha vendimet e sistemeve para hyrjes në fuqi dhe procedimit të rregullores për sistematizim të brendshëm, të fillojë procedura e tërheqjes së të gjithë konsujve aktuale të përgjithshëm nga radhët e të emëruarve politikë, të ndalohet sa më parë praktika e instaluar e punës në grupe të ngushta, si dhe të ketë transparencë dhe informacion, të sistemohen të gjithë zyrtarët që kanë mbetur të pasistemuar dhe të informuar.

Përpos këtyre, kanë kërkuar që të lejohet puna pa ndërhyrje e sindikatës.

Për të gjitha këto, Shoqata ka kërkuar një takim me ministren Gërvalla./Gazeta Blic/