Kristjan Asllani mund të quhet tashmë një lojtar i Interit. Mesfushori shqiptar pritet të largohet nga Empoli për të firmosur një kontratë me ekipin zikaltër.
Një hap mjaft i rëndësishëm ky për mesfushorin shqiptar, i cili është vetëm 21 vjeç. Emri i Asllanit ka ngjallur një kuriozitet të madh në media, ku së fundmi ka folur edhe trajneri i tij i parë.
Cristiano Filippi ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, gjatë së cilës tregon përshtypjet e tij të para për talentin e Kombëtares kuqezi. Filippi tregon se Asllani spikati që në ndeshjen e parë, ku shënoi një eurogol pasi la pas tre kundërshtarë. Trajneri italian shton se sytë iu përlotën në momentin kur e pa ti shënonte gol Interit në Serinë A, duke ndjerë krenari që dikur ka qenë një prej lojtarëve që ka stërvitur.
“Më besuan kategorinë e të rinjve. Babain e Kristjanit e njihja, sepse çdo ditë kaloj nga shtëpia e tyre. I sugjerova që ta linte të luante me ne.
Në javët e para e dinim se ai ishte i fortë, por debutimi i tij në ligë ishte i çmendur! Ai kishte fanellën me numrin 7, i rrinte shumë më e madhe shumë sepse ishte shumë më i shkurtër se të tjerët. Ai bëri një eurogol të vërtetë, duke ulur tre kundërshtarë. Empoli pak kohë më parë ka postuar videon edhe në kanalet e tij sociale. Natyra i ka dhënë këmbë, të cilat ai di t’i përdorë të dyja shumë mirë dhe vështirë se bën të njëjtin gabim dy herë, por ai është i zoti të përmirësohet vazhdimisht.


