Sporti

Një letër nga Adnan Haxhaj: 19 vitet e mia në futbollin kosovar përfundojnë sot, faleminderit!

01/31/2024 12:42
nga:Lorik J

Çdo fillim e ka edhe një fund.

Mbrojtësi i njohur kosovar, Adnan Haxhaj ka vendosur të largohet përfundimisht nga futbolli vendor, pasi do ta vazhdojë jetën në shtetin e Gjermanisë. Pavarësisht se do të largohet nga vendi ynë, Haxhaj nuk do t’i varë këpucët në gozhdë, pasi do vazhdojë me futbollin, por tani tek klubi shqiptar, Kosova Munchen në shtetin gjerman.

Haxhaj kaloi 19 vjet në futbollin kosovar si profesionist, ku luajti për shumë skuadra dhe fitoi gjithçka që mund të fitohet si futbollist në Kosovë.

Hapat e parë të karrierës si fëmijë, Haxhaj i mori tek skuadra e qytetit, Vushtrria, për të kaluar më pas tek juniorët e Trepçës. Në këtë klub, Haxhaj e nisi edhe karrierën si lojtar profesionist tek seniorët. Pas ekipit mitrovicas, Haxhaj u transferua tek Prishtina, ku kaloi gjashtë vite dhe fitoi gjithçka. Në karrierën e tij, Haxhaj u paraqit edhe tek skuadrat: Vllaznia e Shkodrës, Llapi, Liria, Drenica, Ferizaj, Besa, KEK-u, Vëllaznimi, Onix dhe së fundmi tek Feronikeli 74′.

Pasi vendosi të largohet nga futbolli kosovar, Haxhaj foli ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’, ku rrëfeu emocionet e gjithçka që përjetoi për 19 vjet si lojtar senior në vendin tonë.

Letra e Adnan Haxhajt:

  • Shihemi në ditë më t’mira!

“Pas 19 vitesh erdhi koha që të përshëndetem me futbollin kosovar. Normalisht që është e vështirë, por po largohem me shumë kujtime, përjetime e emocione pozitive. Luajta 19 vjet këtu dhe shijova e përjetova rritjen e këtij sporti në vendin tonë, që tani ka filluar të marrë edhe vëmendje evropiane. S’kam dyshime se futbolli i Kosovës do të më mungojë shumë, sepse ia kushtova gjithë jetën. Po largohem veç me gjëra pozitive, e shpresojë që të shihemi sërish veç në momente të mira e suksesi, që besoj se e presim futbollin elitar në të ardhmen”

  • Kujtimet e bukura.

“Momente pozitive kisha në çdo skuadër që luajta, por atë që e veçoj është periudha tek Prishtina, pasi fitova gjithçka dhe kalova gjashtë vite të mrekullueshme. Megjithatë, kudo që kam luajtur mbaj veç momente pozitive dhe kujtime të bukura”

  • Porosi për të rinjtë

“Një porosi për futbollistët e rinj është që të punojnë çdo ditë, çdo orë, sepse futbolli do përkushtim maksimal. Më ka ndodhur personalisht që të kem rënie në karrierë, shkaku i mos-përkushtimit, andaj i them të gjithë të rinjëve që të mos ndalen asnjëherë, nëse duan sukses. Vetëm kështu garantohet suksesi, duke punuar gjithmonë, pandalur”

  • Zhvillimi i tij dhe i futbollit kosovar

“Kam luajtur në periudha të ndryshime zhvillimi të futbollit kosovar. Kemi shënuar një ngritje të cilësisë dhe për këtë jam i lumtur. Duhet punë e madhe që të kalojmë tutje. Po e lë futbollin vendor me një ngritje, e shpresojë që vitet e ardhshme të kemi vetëm progres e të çojmë futbollin aty ku kemi dashur gjithmonë”

  • Arrita gjithçka, por kam një peng

“Kam arritur gjithçka në futbollin kosovar, i shijova të gjitha, emocionet e adrenalinën që ta ofron ky sport, të mirat e të këqijat; mërzinë e lumturinë, andaj jam mirënjohës për përjetimet. Si çdo futbollist në botë edhe unë e kam një peng nga karriera ime deri tani, që s’munda të luajë në një klub të madh evropian, shkaku i sfidave që na ofroi koha e paraqitjeve të mija në futbollin vendor si dhe pengu tjetër që s’munda të luajë asnjëherë për qytetin tim, Vushtrrinë (si senior), sepse siç duket ky fat s’ishte përcaktuar…”

  • Gati për një kapitull të ri, jetën në Gjermani!

“Tani, jetën do ta vazhdojë në shtetin e Gjermanisë, aty ku do udhëtoj këto ditë, por as atje nuk do heq dorë nga futbolli. Aty do angazhohem tek FC Kosova Munchen, ekip shqiptar në Gjermani. Shpresojë të jap maksimumin edhe atje dhe të shijoj disa suksese në vitet e mija të fundit në këtë sport”

  • Faleminderim e mirënjohje për të gjithë që punoi për 19 vjet të karrierës!

“Në fund, një falënderim i madh shkon për kryesitë e të gjitha klubeve ku luajta, trajnerët, të gjithë bashkëlojtarët, stafin, tifozeritë e skuadrave, miqtë, mediat dhe njerëzit që më qëndruan pranë. Kam respekt të veçantë për të gjitha klubet ku kam luajtur, pasi kishin sjellje korrekte dhe na vlerësuan gjithmonë, andaj do të jem falënderues gjatë gjithë jetës. Padyshim se falënderojë edhe familjen time që më qëndroi afër për gjithë këto vite”.

Haxhaj tha se do t’i mungojë shumë futbolli vendor, por një gjë është shumë e sigurt… se edhe futbollit kosovar do t’i mungojë shumë një futbollist si Adnan Haxhaj që dha gjithçka nga vetja kudo që u paraqit.

/GazetaBlic Sport/