Sporti

Një legjendë e Real Madrid ka njoftuar pensionimin në fundin e sezonit

04/04/2024 18:23
nga:Lorik J

Një prej basketbollistëve legjendar të Real Madridit dhe Spanjës, Rudy Fernandez, ka njoftuar përfundimin e karrierës së tij. Në ditëlindjen e tij të 39-të, Fernandez njoftoi se do të tërhiqej nga basketbolli pas këtij sezoni.

Dy herë kampioni i botës dhe katër herë i Evropës me Spanjën ka zbuluar se turneu i fundit në të cilin do të garojë është Olimpiada e Parisit nëse Spanja kualifikohet.

“Unë jam një i rritur tani dhe mendoj më shumë për gjëra të tjera, si për familjen time. Më kanë mbetur edhe pak muaj në karrierën time dhe shpresoj të kontribuoj sa më shumë dhe të argëtohem me shokët e skuadrës. Dua të ndjej kënaqësi në ditët e fundit si konkurrent dhe më duhet të përmbush ëndrrën e babait tim për të marrë pjesë në një tjetër Lojë Olimpike”, tha Fernandez.

Përpara ndeshjes së Real Madridit në Euroligën kundër Baskonias, ai gjithashtu tha: “Për fat të keq, ka shumë lëndime në sport dhe kur lëndova shpinën, mjekët më thanë se do të mund të luaja vetëm për 3-4 vjet të tjera në klub. Jam i lumtur që munda të qëndroj më shumë se kaq dhe që kam pasur privilegjin të arrij deri këtu dhe të ndihem i rëndësishëm për ekipin.”

Fernandez është pjesë e Real Madridit prej 12 vitesh, duke fituar 3 herë Euroligën dhe 6 herë Liga Endesa. Përveç kësaj, Rudy Fernandez fitoi Kupën e Spanjës 6 herë dhe Superkupën e Spanjës 9 herë me Realin.

Ai gjithashtu ka përvojë solide në NBA, ku luajti 249 ndeshje midis 2008 dhe 2012 për Portland Trail Blazers dhe Denver Nuggets.

/GazetaBlic Sport