Futbollisti i mirënjohur kosovar, Ergon Hyseni është penisonuar nga futbolli aktiv.
Hyseni u pensionua në mënyrën më të mirë, duke ndihmuar skuadrën e Ferizajt që të rikthehet në Superligën e Kosovës, pra një lamtumirë prej kampioni, shkruan GazetaBlic Sport.
Një karrierë e gjatë në disa klube të ndryshme, një eksperiencë e mrekullueshme personale dhe një figurë shumë e respektuar nga të gjithë, këto janë disa nga fjalët që mund ta përshkruajnë karrierën e tij futbollistike.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Hyseni është deklaruar në detaje për karrierën e tij, ku tha se e vlerëson në mënyrën më të mirë angazhimin në futbollin kosovar.
“Pa dyshim, angazhimin tim në futbollin kosovar e vlerësoj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke falënderuar gjithmonë klubet ku kam qenë, veçanërisht FC Ferizajn ku jam rritur dhe SC Gjilani ku jam zhvilluar si lojtar. Por gjithashtu besoj se një vlerë tjetër në futbollin tonë ishte përfshirja ime në përfaqësimin e Kosovës në gjeneratat U-19 dhe U-21”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai u deklarua edhe për momentin më të mirë dhe më të keq gjatë karrierës së tij, ku si më të mirin e vlerësoi shpalljen kampion me Ferizajn në Ligën e Parë, kurse më të keqin, lëndimin që e pësoi në hundë vitin e kaluar.
“Në përgjithësi, në futboll pothuajse të gjitha janë momente të mira. Një moment i mirë është që tani sapo e kemi bërë kampion Ferizajn ku edhe zyrtarisht është anëtar i Superligës, po ashtu këto ftesa në grumbullime me përfaqësuese janë momente të mira, goli ndaj Dritës me Gjilanin është një tjetër moment që më qëndron gjithmonë në kokë. Ndërsa momenti më i keq është dëmtimi i hundës sezonin e kaluar, me të cilin kam ende probleme edhe pas operacionit”, tha tutje ai.
Krejt në fund, ai u pyet edhe për të ardhmen e tij dhe cila do të jetë ajo, ku tha se futbolli do të jetë gjithmonë prezent tek ai.
“E kam përmendur edhe më herët që për të ardhmen futbolli do të jetë gjithmonë prezent tek unë, por në çfarë aspekti besoj se do të bëhet publike shumë shpejt”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/