Lajme

Një kompani me kapital rus deshi të fitonte tender në Mbrojtje, thotë ministrja maqedonase

03/12/2024 13:27
nga:N K

Një kompani e dyshimtë me kapital rus u përpoq të hynte në një tender, për prokurimin e pajisjeve specifike në Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut.

Kjo u zbulua nga ministrja Sllavjanka Petrovska, e cila njoftoi se do të kërkojë ndryshime në Ligjin për Prokurimin Publik, veçanërisht në pjesën ku fituesi i tenderit është kompania që do të ofrojë çmimin më të ulët, përcjell klankosova.tv.

”Kompania është e regjistruar në një shtet anëtar të BE-së, për ta treguar veten si të rëndësishëm në treg, por në procedurë edhe para se të bëhej kontrolli i sigurisë, shërbimet e inteligjencës maqedonase alarmuan se ajo ishte një firmë e dyshimtë ruse”, citon alsat të ketë deklaruar Petrovska.

Sipas ministres, në fazën e dytë të tenderit, kjo firmë ofroi një shumë 50 për qind më të lirë se kompanitë konkurruese, gjë që konfirmoi dyshimin se me çdo kusht firma ruse donte të fitonte tenderin.

Petrovska nuk zbuloi detaje të kompanisë në fjalë dhe saktësisht se çfarë pajisje po prokurohej.