Kanë kaluar një javë që prej vrasjes së 26-vjeçarit me inicialet A.M në Mitrovicë, ndërsa policia është ende në kërkim të njërit nga dy të dyshuarit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti për lajmi.net ka thënë se ende nuk ka ndonjë detaj për të dyshuarin e dytë L.B. për vrasjen e A.M..
“Deri më tani nuk ka ndonjë risi, personi i dytë i dsyshuar ende mbetet në kërkim policor”, ka thënë Zahiti.
Katër ditë më parë, A.Z, 23-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e të ndjerit, është vetëdorëzuar në polici dhe iu është shqiptuar masa e paraburgimit.
A.M., vdiq nga plagët e marra me thikë dhe tragjedia erdhi si pasojë e një zënke.
Mediat kanë raportuar se L.B. është vëllai i V.B., i arrestuar për vrasjen me kallashnikov të një 21-vjeçarit, në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë para pesë vitesh.
L.B., sipas raportimeve, ka dosje kriminale në Policinë e Kosovës dhe se mbi të rëndojnë disa akuza për vepra penale.