Rastet e dhunës vazhdojnë të jenë mjaft prezent në familjet kosovare, raporton Gazeta Blic.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportit të Policisë, në vend janë shënuar 5 raste të dhunës në familje.
Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj e Klinë.
Në Prishtinë, ish i dashuri e ka rrahur dhe dhunuar ish të dashurën e tij.
“Është raportuar se një femër kosovare është sulmuar fizikisht nga ish i dashuri i saj dhe nga i njëjti është dhunuar. Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për ekzaminim. Njësiti përkatës janë duke hetuar rastin”, thuhet në raport.
E, në Prishtinë, një tjetër burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.
“Është raportuar se viktima femër kosovare në vazhdimësi ka pësuar dhunë psikike nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”.
Një rast tjetër ka ndodhur në Fushë Kosovë.
“Është raportuar se viktima femër kosovare dhe ish burri i saj i dyshuari mashkull kosovarë janë përfshirë në rast. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërsa në Ferizaj, djali i dehur është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht babanë e tij.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht babanë e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe pas matjes së alkoolit ka rezultuar me 0.72%. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. Gjatë arrestimit i dyshuari ka sulmuar zyrtaret policor”, thuhet në raport.
Kurse, në Klinë një person një mashkull është arrestuar për dhunë psikike ndaj njerkës.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, kishte ushtruar dhunë psikike ndaj njerkës. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë./Gazeta Blic/


