Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se është miratuar kërkesa e Mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me dëshminë e Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë.
Gjykata Speciale njofton se do të jetë edhe një ditë shtesë për dëshminë e Clarkut.
“Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë.”
“Trupi Gjykues deklaroi se kjo ditë shtesë ishte rezervuar për të përmbyllur në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja, por megjithatë i kërkoi palëve që të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët, nëse është e mundshme,” thuhet në njoftim.
Siç u bë e ditur muajin e kalaur, Clark do të jetë dëshmitari i fundit i Mbrojtjes së Thaçit.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John SteWart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
DhSK-ja kishte bërë të ditur ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.


