Lajme

Një ditë para grevës në arsim, ministrja Nagavci takon mësimdhënësit

08/24/2022 13:01
nga:Astrit Gashi

Dhjetëra mësimdhënës dhe drejtues të institucioneve arsimore të komunës së Prishtinës janë ftuar në takim nga Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në Fakultetin e Edukimit, mësimdhënësit janë mbledhur duke iu përgjigjur ftesës së Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës.

Ahmet Pllana, kryetar i Sindikatës së Arsimit në Komunën e Prishtinës, deklaroi se janë ftuar në takim nga MASHT-i, ndonëse u shpreh se nuk e di arsyen e këtij takimi.

Ndonëse në njoftim nuk bëhet e ditur për detajet dhe ato që do të diskutohet, Pllana thotë se greva në arsim është temë e pashmangshme.

Ai madje e sheh si presion nga ana e Ministrisë këtë takim.

“Nesër e shikojmë si sindikatë, por mund të thuhet se po bëhet presion”, deklaroi Pllana, duke rikujtuar se ky takim është ftuar një ditë para fillimit të grevës së paralajmëruar nga SBASHK-u.