Një ditar për koronavirusin që sjell historitë njerëzore të mjekëve në periudhën kur bota kërcënohej rrezikshëm nga virusi që po përhapej me shpejtësi prezatohet në panair.
Histori të vërteta, ndjesi, dhembje dhe ndarje. Këto janë vetëm disa nga përjetimet e mjekëve që shihnin si humbnin jetë njerëzish në një qytet të Kinës.
Një ditar i ngjarjeve që ndodhën nga 23 janari e deri më 23 shkurt të vitit 2020, parë në këndvështrimin e mjekëve që bashkëjetuan me virusin dhe humbjet.
Për këtë betejë të Kinës me koronavirusin shkruar përmes historive njerëzore, i pranishëm në panairin e librit ishte edhe ambasadori i Kinës, Zhou Ding. Përtej reagimit të masave nga komisionet shtetërore ky libër ka mesazhe për jetën, tha ai.
“Versioni shqip i ditarit për luftën kineze kundër koronavirusit 2020 rrëfen e dokumenton historitë prekëse të vijës së parë të luftës kundër pandemisë në fillim të vitit 2020, që nga ashpërsimi i pandemisë dhe informimi apo vendimet që ka marrë komiteti Qendror e deri te ndarja me botën e vaksinave dhe informacioneve më pas. Por, me këtë libër shpresojmë të jemi bashkë edhe më shumë, ashtu sikurse ishim të gatshëm të luftonim së bashku kundër koronavirusit. Përmes këtij libri dua të uroj më së shumti shëndet”, tha ambasadori kinez.
Me histori që tregojnë 10 mjekë dhe infermierë që këndojnë natën e Vitit te Ri këngë për jetën e deri te tregimet “Koha është jetë”, “Bëhu trim fëmija im”, “Një kafe na ngroh”, apo “Mirëserdhe në shtëpi”, ky libër do t’i kujtojë botës dhimbjen që përjetonte vija e parë e luftës ndaj pandemisë.


