Opinion

Një debat inferiorësh, që ëndërrojnë “fitoren e pavarësisë” së Kosovës nga Shqipëria

08/09/2021 20:33
nga:Mero Baze

Nga Mero Baze

Më në fund debati rreth Bregoviçit ka hyrë në rrjedhë normale, së paku në Shqipëri. Dy kolegë të mi, kritikë të ashpër të Ramës dhe mbështetës të Albin Kurtit, që po ashtu janë të dy fansa të hershëm të Bregoviçit, kanë pranuar se ai duhet bojktuar se e fton Edi Rama, jo se nuk vlen si këngëtar, apo se nuk ka dënuar krimet serbe në Kosovë.

Pastaj etiketimet se “këta që mbrojnë krimet e Ramës, janë e keqja e vendit, dhe ata që mbrojnë Berishën e Metën mbrojnë demokracinë” janë debat më i gjatë, që nuk ia vlen ta përziejmë me debatin me Bregoviçin.

Por në këtë debat duhen ndarë tri gjëra të qarta, me të cilat po spekulohet.

E para, ky nuk është një debat kulturor që ndan Shqipërinë nga Kosova, por një debat politik, i iniciuar nga Kosova e Albin Kurtit kundër Shqipërisë.

Për fat në Shqipëri është fare e qartë, pasi kritikët e ardhjes së tij janë fansa të Bregoviçit, por meqë janë dhe fansa të Albinit, tani janë kundër ardhjes së tij.

Çdo përpjekje tjetër për ta paraqitur si debat kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe akoma më keq, për të dëshmuar që Kosova ka shije muzikore elitare dhe Shqipëria i ka mesjetare, pasi ka qenë në komunizëm, është diabolik, jo se tenton të fyejë Shqipërinë, por fyen vetë kundërshtarët e Bregoviçit në Kosovë.

Argumenti i tyre më i madh është se Bregoviçi është një produkt i Jugosllavisë që i ka shtypur. Tani ose ajo Jugosllavia i ka shtypur dhe ata kanë të drejtë të ankohen, dhe unë jam dakord me këtë version, ose i ka civilizuar dhe kanë të drejtë të krenohen, siç po kapardisen.

Të zgjedhin kë të duan, por nuk mund të shfaqen njëkohësisht dhe viktima të Jugosllavisë dhe elitarë si produkt kulturor i Jugosllavisë. Nëse Jugosllavia i ka edukuar me një ndjenjë elitariste muzikore, qenka fat i madh, por nuk kanë pse shajnë Bregoviçin, që është më i miri asaj race.

Nëse Jugosllavia i ka shtypur dhe si ka lënë të ngrenë kokë, kanë të drejtë të kenë urrejtje për të dhe Bregoviçin si artist simbol të saj. Por o njërën, o tjetrën, janë të lirë të zgjedhin, se kur i zgjedhin të dyja na duket vetja budallenj ne që i dëgjojmë në heshtje, pasi nuk mund të jenë dhe nostalgjikë të lirive kulturore të Jugosllavisë, dhe urrejtës të produkteve të saj, si Bregoviçi.

Së dyti, nxitës i këtij debati është Albin Kurti, kurse kori është zgjeruar me “kosovocentristë” dhe një amalgamë mediesh, sponsorizuar nga biznesmenë të tipit “Birra Peja”, që lëndën e parë e blen në Serbi, si biznesmen luajal i Serbisë, dhe tregun e shitjes e do në Shqipëri, si patriot shqiptar.

Grupi që mund të quhet “kosovocentrist”, është nga ata që luftojnë të kenë identitetin tyre të ndarë nga Shqipëria, dhe së bashku me falangat e Kurtit, kanë rrëmbyer gjithë arsenalin e racizmit dhe komplekseve të inferioritetit dhe i kanë nisur në luftë kundër Shqipërisë.

Por me “kosovocentristët” nuk duhet të mërzitemi. Ata nuk e duan Shqipërinë në mënyrë shumë të sinqertë. E kanë në formimin e tyre dhe në aksionin e tyre. Ata nuk e kanë filozofinë e Rugovës, që distancën nga Shqipëria e kishte instrument për t’u bërë i besueshëm në betejën për çështjen e Kosovës.

Këta përfaqësojnë mentalitetin e elitës së re politike të Kosovës, që mendojnë se është më mirë të jenë “të parët e fshatit, se të fundit e qytetit”. Për këtë u duhet Kosova larg Shqipërisë.

Aleanca e tyre me Albin Kurtin në këtë debat, është një dëshmi më shumë se sa dëm bën keqpërdorimi politik i një kauze të tillë, që ka të bëjë me një aktivitet lokal në një panair birre.

Së treti, duhet të jenë më të kujdesshëm kur thonë një gënjeshtër të tipit se nga Shqipëria po dëgjojmë thirrje të harrohen krimet serbe. Asnjë thirrje e vetme nuk ka ardhur nga Shqipëria për të harruar krimet serbe. Druaj se më shumë libra për krimet serbe kanë shkruar shqiptarët e Shqipërisë, se ata të Kosovës.

Pas 20 e ca vitesh Kosova nuk ka asnjë muze të krimeve serbe, asnjë vepër të rëndësishme historike apo dhe politike për krimet serbe, asnjë dokumentim të historisë së saj dhe rrugë-formimin si shtet, dhe asnjë dokument të vetëm arkivor për veprimtarinë dhjetëvjeçare të Ibrahim Rugovës, që hodhi rrënjët e shtetit të Kosovës.

Bregoviçi nuk i ka penguar ta bëjnë këtë. Ndoshta ai i mban mend më mirë se ata krimet serbe, pasi ka pas babën kroat, gruan myslimane, e nenën serbe. Ata i kanë harruar dhe i kanë flakur nga historia krimet e serbëve mbi ta, dhe bëjnë politikë ende me disa viktima të mbetura gjallë prej tyre.

Dhe Bregoviçi nuk i ndihmon dot në këtë kauzë, pasi nuk ka kënduar për krimet serbe, ta kishim së paku si dëshmi historike. Të vetmet këngë për krimet serbe janë ato të rapsodëve lokalë që i shkruanin kundrejt 100 markave poetët vullnetarë nga Shqipëria.

Ndaj ky debat nuk është për diferencat kulturore të Shqipërisë me Kosovën dhe as për të harruar historinë e rëndë të Kosovës nën Serbi. Më pak se kush për ta ka shkruar dhe ka bërë Kosova dhe këta që tentojnë t’i bëjnë gjyqin Shqipërisë.

Nuk është as debat për të krahasuar cilësinë intelektuale në Universitetin e kohës së Enver Hoxhës në Shqipëri me shkollën e imponuar në lulishte dhe bodrume që ka mbaruar Albini, “shkëlqyeshëm”.

Ky është një debat politik për të prodhuar një ndarje mes Shqipërisë dhe Kosovës, që ka përfshirë në një aleancë të vetme “ithtaret e dikurshëm të bashkimit kombëtar” dhe atë pjesë të sinqertë të shoqërisë së Kosovës që e urren Shqipërinë.

Në këto raste identitetin kësaj lëvizje, ia japin ata që janë të sinqertë. Dhe e vërteta është se kjo është një valë urrejtje dhe frustrimi nga Kosova mbi Shqipërinë, e nxitur politikisht. Nuk është ndonjë qamet i madh, se kalon shpejt.

Por është mirë të thuhet e vërteta e hidhur, që vjen nga një politikan si Albin Kurti, që është nisur të fitojë pavarësinë nga Serbia, dhe po ia del të fitojë pavarësinë nga Shqipëria.